Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me zjarrin që ra në një qendër pritjeje në Meksikë, ku humbën jetën 40 emigrantë. Në disa pamje të publikuara, shihet se rojet largohen sapo fillon zjarri. Siç shihet edhe në video, rojet largohen nga qelia në të cilën emigrantët vunë zjarrin për të protestuar për dëbimin e tyre, ndërsa flakët dhe tymi mbulojnë gjithçka.

Videoja është bërë publike nga një gazetar meksikan, i cili ka folur për një “krim”. Sipas Institutit Kombëtar të Migracionit (INM) të Meksikës, 40 emigrantët e vdekur janë nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Në të njëjtën kohë, 28 të tjerë u dërguan në spitale. Përpara publikimit të videos, presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, kishte fajësuar për tragjedinë vetëm emigrantët, duke thënë se “ata nuk besonin se zjarret që ndezën për të protestuar do të shkaktonin këtë tragjedi të patregueshme”.

Zjarri, një nga më vdekjeprurësit e vendit në vite, vjen ndërsa SHBA dhe Meksika luftojnë me emigracionin e paligjshëm. Javët e fundit ka pasur një rritje të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në qytetet kufitare meksikane, ndërsa autoritetet përpiqen të përpunojnë kërkesat për azil duke përdorur një aplikacion të ri të qeverisë amerikane të njohur si CBP One.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: