TIRANË- Policia e Tiranës ka dhënë informacione zyrtare në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në rrugën pranë Rinasit ku u grabitën 7 thasë me para të bankës BKT.

Sipas policisë, grabitësit kanë prerë me motosharrë pjesën e pasme të dy blindave të kompanisë private të sigurisë dhe kanë marrë paratë. Policia flet për 2 autorë. Po ashtu policia thotë se patrulla e policisë e ndodhur pranë ngjarjes ka hasur në trafik dhe efektivët janë nisur më këmbë.

Ndërkaq zyrtarisht policia deklaron se nuk ka patur asnjë telefonatë në sallën operative nga ana e kompanisë së sigurisë.

NJOFTIMI I POLICISË
Informacion lidhur me ngjarjen e ditës sotme në vendin e quajtur mbikalimi Rinasit.
Kronologjia e ngjarjes si me poshtë:

Ne orën 13:10 njofton patrulla e policisë se mjetet e blinduara te Shoqërisë Private sigurisë fizike kane kaluar ne drejtim te Rinasit.

Ne orën 13:24, ka ardhur telefonatë te numri i emergjencave 112, se në afërsi të Universitetit “E..”, ka të shtëna me armë. Me marrjen e njoftimit patrulla e policisë është nisur në drejtim te vendit ku është marre telefonata.

Sqarojmë se në mes te rrugës është konstatuar trafik nga patrulla dhe janë detyruar te lënë makinën dhe te shkojnë me këmbe ne drejtim te Universitetit E….
Ne orën 13:29 shkon shefi i Komisariatit Vore ne vendin e njoftuar lidhur me ngjarjen.
Ne orën 13:34 ka ardhur një tjetër telefonatë, nga punonjësi i firmës private i cili ka kërkuar ndihmë policore.

Ne orën 13 :35 patrulla e policisë mbërrin ne vendngjarje dhe ka marre kontakt me drejtuesin e mjetit te shoqërisë fizike.
Ata i kane shpjeguar oficerit te patrullës së përgjithshme lidhur me ngjarjen.
Sqarojmë se nga Salla Operative e shoqërisë përkatëse nuk është dhënë asnjë njoftim mbi ngjarjen e ndodhur ne sallën operative te Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranës.

Ne vendngjarje janë konstatuar dy automjete të përshtatura si te blinduara të një shoqërie private, që po transportonin në drejtim të Rinasit vlera monetare.

Në këtë aks rrugor këtyre mjeteve u është ndërprerë rruga nga një automjet tip “Fuoristradë” duke e goditur furgonin e blinduar të shoqërisë private dhe prej tij kanë dalë dy persona të paidentifikuar të cilët dyshohen të kenë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë.

Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë të shoqërisë private duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private të cilët ndodheshin në të.
Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar me të dy automjetet e tyre.

Sqarojmë se automjetet e shoqërisë fizike te përshtatur si mjet i blinduar janë dëmtuar nga autoret ne pjesën e pasme duke përdorur mjet prerëse te dyshuar motosharre dhe marre me pas shumen e parave.
Gjithashtu është konstatuar se kamerat e mjeteve te përshtatura si blind kane qene te fikura dhe GPS nuk ka qene i vendosur ne thasët e parave por ne një thes, i cili u gjet u vendosur poshtë sediljes se shoferit. Në vendngjarje janë fiksuar gëzhoja.

Nga shërbimet policore, janë konstatuar/gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave, në vendin e quajtur “Rruga e Hajdutëve” në Fushë Prezë.

Nga verifikimi i kryer dyshohet se këto mjete të jenë të autorëve, të përdorura në vendngjarje.
Shumat monetare që po transportoheshin në drejtim të Rinasit ishin të një banke të nivelit të dytë, shumë e cila ende e papërcaktuar.

Si rrjedhoje janë arrestuar shtetasit:
Xhelil Metaj, 43 vjeç, punonjës SHPSF,
Gentian Dedja, 31 vjeç, punonjës SHPSF,
Përparim Logu, 39 vjeç, punonjës SHPSF,
Endrit Daçi, 31 vjeç, shofer i shoqërisë,
Dashamir Balla, 42 vjeç, shofer i shoqërisë.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plote te ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb