Analisti Menetor Nazarko në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 e cilësoi hap pozitiv, drejtimin e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Ndonëse u shpreh se nuk ishte në brendësi të çështjeve konkrete që pala shqiptare do kërkonte zgjidhje nga aga, Nazarko e lexoi këtë dakordësi si një model të mirë edhe për zgjidhjen e konfliktit greko-turk.

“Palët i kanë vendosur vetes qëllime të ndryshme. Mendoj që Greqia po edhe Shqipëria janë duke u përpjekur të vendosin një model zgjidhjeje edhe për Turqinë. Pandehmë e imja. Midis Ramës dhe Erdogan ka një marrëdhënie miqësore personale të fortë, po ashtu mes Shqipërisë e Turqisë.

Marrëveshja Shqipëri-Greqi impakton diskutimet Greqi-Turqi, jo vetëm për ndarjen e shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive, por për t’i çuar marrëdhëniet para ka pasur një interes grek, më e ndryshme nga ajo çfarë ka negociuar e majtë greke më parë.

Ndërkohë Rama ka pasur shansin t’i plasë bombën në dorë kritikëve, për të bërë një marrëveshje më të mirë se Berisha në 2009. Ka teori që në përplasjen greko- turke Rama qënka pro Greqisë, ka mendime që është edhe filogrek edhe filoturk, ka shumë mendime. Unë e shikoj analizën të shtrirë në kohë. Ai ka shkuar në darkë me Mitsotakis pas takimit me Erdogan. Mu duk sikur ishte një lloj korrieri mes Turqisë dhe Greqisë që të gjenin një zgjidhje. Ato të dyja do ta kenë të vështirë ta gjejnë një zgjidhje, zgjidhja e një pale të tretë do t’i konvenjonte.

Nuk e kam të qartë detyrën që do i jepet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Dy palët i besojnë juridiksionit të Hagës për këtë çështje, pasi pozicionohen në qëndrimet e tyre, nuk e di nëse do i kërkojnë të ndajnë kufirin e detit territorial, shelfin kontinental dhe apo zonën ekonomike ekzkluzive. Kjo është një zgjidhje më e mirë se negociatat dypalëshe ballë për ballë. Duhet ta pranojmë se nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme Shqipëria për tu përballur me palën greke.

E shoh si një hap pozitiv përpara, si hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, kjo është inkurajuese.

Mendoj që qasja e mëparshme e PS ka qënë e gabuar, që kërkonte të zgjidhte me negociata si problemet historike ashtu edhe çështjet e tanishme. Kjo i zvogëlonte shanset që të përfitonim, por ngjan se e djathta e Mitsotakis ka një qasje pozitive. Kjo pasi Greqia në Ballkan është në një pozitë të vështirë ku sheh rritjen e fuqizimit të Turqisë. Turqia imagjinoni është aktive edhe në Serbi, një nga aleatët e Greqisë. Pra, ku është tregu për mallrat greke përveçse Ballkani. E djathta greke i është kthyer arsyes. Për mua inkurajuese është edhe çështja e ligjit të luftës dhe i ashtuquajturi traktat i miqësisë i ‘96. Ai traktat miqësie është konsideruar si mbyllje e kapitullit të ligjit të luftës, jo thjesht për gëzimin e pronës nga shqiptarët, por edhe për një lloj legjislacioni apo ato rregullat e fshehta të ushtrisë greke, pra ka nevojë për një traktat të ri miqësie. Kjo marrëveshje është një lloj modeli për zgjidhjen edhe të konfliktit greko-turk”,- tha Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: