Është zhvilluar konferenca e përbashkët me ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministrin grek Nikos Dendias.

Gjatë fjalës së saj Xhaçka u shpreh mes dy vendeve  ka mirëkuptim për zgjidhjen e shumë çështjeve. E ndalur edhe tek çështja e detit Xhaçka  tha se palët kanë rënë dakord dhe se ka vullnet për kompromis për referimin e kësaj çështjeje në Gjykatë e Hagës.

“E konsiderojmë Greqinë  një mik të çmuar dhe partner të besueshëm në rregën e integrimit Europian. Jemi të një mendje se marrëdhëniet shqiptaro –greke duhet të zhvillohet në rrugën e fqinjësisë së mirë. E lumtur që kemi mirëkuptim për të trajtuar çështjet sado të vështira. Një nga çështjet e trajtuar ishte kufizimi i zonave detare. Të dyja palët kanë vullnet për dërgimin tek gjykata ndërkombëtare”, tha ajo.

DEKLARATA PËR SHTYP e MINISTRES XHAÇKA

Përshëndetje të gjithëve,

Është kënaqësi e veçantë që pata mundësinë të pres sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias, shumë pak kohë pas vizitës sime në Athinë. Ky intensifikim i kontakteve të nivelit të lartë është shprehje e vullnetit tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe me vendin fqinj dhe mik. Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner të besueshëm në rrugën tonë të integrimit evropian.

Këto shkëmbime të shpeshta dhe të hapura pikëpamjesh dëshmojnë qartë se dialogu dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona mike zhvillohet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke pasqyruar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit dypalësh, rëndësi e cila shtrihet në rrafshin rajonal e më gjerë. Ne jemi të një mendjeje se marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane. Jemi duke diskutuar në mënyrë intensive me fqinjët dhe miqtë tanë grekë si dhe të punojmë bashkërisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, në interes të popujve tanë. Jam e lumtur që kemi mirëkuptim për të trajtuar dhe për të kërkuar zgjidhje për të gjithë gamën e çështjeve, sado të vështira, që kemi trashëguar nga historia.

Në këtë kuadër të diskutimit të rrugëve për kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Jo më pak i rëndësishëm se diskutimi i këtyre çështjeve me karakter historik, është përcaktimi i mënyrave për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike më një vend si Greqia që është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë edhe në lëmin e investimeve, bashkëpunimi në fusha si mbrojtja sociale dhe kultura, fusha ku komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë vërtet ura për thellimin e bashkëpunimit. Produkt i këtij diskutimi është edhe kërkesa jonë për fillimin e takimeve në nivel ekspertësh për negocimin dhe nënshkrimin potencialisht të një marrëveshje për mbrojtjen sociale apo pensioneve, nga i cili do të përfitojnë edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi.

Po ashtu diskutuam edhe kërkesën tonë për avancimin e mësimit të gjuhës shqipe nga komuniteti shqiptar në Greqi, si  dhe çështje të tjera në interes të drejtpërdrejtë për shtetasit tanë që jetojnë në Greqi. Sa i përket situatës në rajon por edhe më tej, zoti Dendias sot vjen nga një tur rajonal, dhe ne e mirëpresim shumë angazhimin e tij personal dhe angazhimin e Greqisë në adresimin e problematikave të mbetura ende të pazgjidhura në rajonin tonë por edhe situatës së sigurisë në Evropë për të cilën diskutuam gjërësisht, siç e thashë ne jemi aleatë në NATO dhe ndajmë të njëjtën qasje strategjike në mbrojtje të parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar siguria e kontinentit tonë, duke dënuar sulmin që u është bërë këtyre parimeve dhe vlerave nga agresioni rus në Ukrainë. Në këtë situatë, integrimi euro-atlantik i rajonit tonë merr rëndësi parësore dhe ky proces duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe Kosovën dhe unë dua ta falenderoj zotin Dendias për punën e tij për vëmendjen që po i kushton rajonit tonë dhe rolin e tij konstruktiv në zgjidhjen e problematikave të mbetura.

Greqia është mbështetëse e perspektivës së integrimit të rajonit tonë  në BE dhe më lejo i dashur Nikos të të falënderoj edhe një herë për mbështetjen në këtë proces jetik për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për stabilitetin e rajonit tonë në tërësi.

Falemnderit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb