Largimi i toksinave nga organizmi dhe procesi i detoksit është tashmë një ritual i njohur, por duhet kthyer në një praktikë natyrale. Nutricionistja Diola Dosti në një lidhje direkte me Skype me moderatoren e emisionit “Vila24” në  “News24” dha sugjerime e receta të vlefshme. Dosti transmeton me shumë sportivitet mesazhe për shëndetin, inkurajuese për këdo që dëshiron të pastrojë organizmin. Ajo thotë se mbingarkesa me proteina shtazore krijon probleme shpesh me kujtesën, ndërsa largimi i toksinave krijon kushte për një ritëm ditor më të gjallë.

Sa i përket pirjes së kafesë sapo zgjohemi në mëngjes, Dosti shprehet se kjo mund të shkaktojë rritje të aciditetit e se nuk është zgjidhja më e mirë. “Për disa persona ka efekte pozitive, për disa jo,”-veçon nutricionistja, ndërsa shton se personalisht preferon ushqimet në mëngjes, në vend të kafesë. Dosti sqaron se detoksi i bëhet zorrës së trashë ku aty për çudi mund të gjesh edhe një picë që e kemi ngrënë ndoshta që para 7 vitesh. Sipas saj një individ që është i shëndetshëm, një vegan do më pak kohë pasi nuk ka shumë mbetje të proteinave shtazore. “Persona që praktikojnë ecjen në natyrë ku oksigjeni është më i lartë, arrijnë të pastrohen më shpejt, por kjo nuk do të thotë se edhe individë që kanë një stil tjetër jete nuk mund të bëjnë një detoks të suksesshëm.”-vijon Dosti, kur flet për veten duke thënë se detoksin e ka kthyer në stil jete duke e praktikuar disa herë brenda vitit.

Ajo sugjeron që persona të cilët duan të nisin një proces të tillë duhet ta përgatisin organizmin më parë ku për 2 apo 3 javë të mos marrin proteina shtazore, me pak fjalë të kthehen për pak kohë në veganë që ta kenë më të lehtë. “Një muaj në vit është mirë që për 28 ditë të pihet çdo ditë në mëngjes lëng limoni me selino. Është pak i shpifur, por bën mirë. Unë e përziej me limon që t’ia heq aromën. Pihet me stomak bosh dhe pas 30 minutash mund të hahet mëngjes, por pa produkte mishi e proteina shtazore. Çdo mëngjes merret ujë i ngrohtë, me apo pa limon.”-shton Dosti duke këshilluar sa më pak sasi frutash e ushqimesh, por në cilësi e në funksion të përbërjes që shërben për detoks.

Ndër perimet e përshtatshme për këtë proces, ajo veçon selinonë, e pasur me magnez e kalçium. Dosti jep receta detoksi duke theksuar se vlejnë frutat e perimet e stinës. Lëng bostani, limon e spirulinë, është përbërja e parë. Smothie me banane, kos e kanellë është përzierja e drekës, ndërsa për darkë kos me fara. Dosti preferon sallatën jeshile, rukolat e specat jeshilë, shtuar perimeve të gatuara në avull, duke lënë për pak supërat e gjellën. “Në pranverë-verë natyra jep fruta me shumë ujë. Nëse dëgjojmë e respektojmë natyrën i kemi bërë një shërbim shumë të madh organizmit.” -thotë Dosti kur siguron se detoksi ndikon edhe në rënien në peshë duke bërë kujdes të mos i kthehemi menjëherë ushqimit e ngrënies pasi ngarkon stomakun e mëlçinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: