Nga Galit Peleg, Ambsadore e Izraelit në Shqipëri
Ulërima shurdhuese e sirenave të sulmeve ajrore prishi qetësinë herët në mëngjes në të gjithë Izraelin, duke i detyruar qytetarët të nxitonin drejt strehimoreve kundër bombave. Momentet pasuese shërbyen si një kujtesë e zymtë e realitetit të përditshëm për izraelitët: të jetuarit nën hijen e një regjimi terrorist të largët që kërkon pa pushim shkatërrimin e tyre.
Pak minuta më vonë, një raketë balistike iraniane goditi Qendrën Mjekësore Soroka në Beer Sheva. Ky nuk ishte thjesht një sulm ndaj infrastrukturës. Ishte një sulm i qëllimshëm ndaj strukturës së shoqërisë izraelite.
Soroka, qendra kryesore mjekësore për Izraelin jugor, ofron kujdes jetë-shpëtues për një popullsi të larmishme hebrenjsh, të krishterësh dhe myslimanësh, përfshirë komunitetin më të madh beduin në vend. Duke patur si synim spitalin, Irani i drejtoi raketat e tij në një institucion që mishëron vlerat tepër pluraliste që urrehen nga regjimi i tij teokratik.
Njëkohësisht, raketat u derdhën mbi zonat me popullsi të dendur në Izraelin qendror, duke shkatërruar shtëpitë e qytetarëve, “krimi” i vetëm i të cilëve është të jetuarit në një demokraci që kundërshton vizionin autoritar të Teheranit.
Ky sulm vë në dukje natyrën brutale gjithnjë e në rritje të regjimit të Iranit. Regjimi i Ajatollahëve, duke qenë i paaftë të përballojë aftësitë ushtarake të Izraelit, ka përdorur taktikën e egër të shënjestrimit të infrastrukturës civile dhe terrorizimit të popullatave civile. Sulmi i fundit vjen pas sulmit të Iranit katër ditë më parë i cili shkatërroi qendrën e njohur të kërkimit për kancerin në Institutin Weizmann, ku shkencëtarët kryesorë janë duke zhvilluar inovacione mjekësore të përparuara për të shpëtuar jetë në të gjithë botën.
Merrni për një moment në konsideratë kontekstin e këtij konflikti: Teherani ndodhet afërsisht 2,000 kilometra larg nga Izraeli. Të dy kombet nuk ndajnë kufij me njëri-tjetrin dhe nuk kanë mosmarrëveshje territoriale. E megjithatë, regjimi radikal iranian e ka shpallur në mënyrë të njëanshme Izraelin si armikun e tij të përbetuar.
Qëllimi i deklaruar hapur i Republikës Islamike nuk është asgjë më pak se zhdukja e Izraelit, duke kërkuar të eliminojë pengesën kryesore demokratike ndaj ambicieve të Iranit për të eksportuar Revolucionin Islamik në të gjithë botën.
Në anën tjetër, Izraeli ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për marrëdhënie paqësore me popullin iranian, duke risjellë në mendje një histori të lidhjeve miqësore.
Pabarazia në sjelljen ushtarake është e pagabueshme. Ndërkohë që Izraeli ka vepruar me vendosmëri kundër kërcënimit ekzistencial të menjëhershëm të programit bërthamor të
Iranit dhe zgjerimit të arsenalit të raketave balistike, operacionet e tij janë përqendruar pikërisht tek objektiva ushtarake dhe terroriste. Izraeli bën të pamundurën për të minimizuar viktimat civile. Përgjigja e regjimit iranian është shënjestrimi i drejtpërdrejtë i spitaleve dhe shtëpive.
Për të shmagur paqartësitë, në Spitalin Soroka nuk ka infrastrukturë ushtarake. Ky ishte shënjestrimi i qëllimshëm i një objekti mjekësor civil, një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.
Ky sulm nënvizon nevojën urgjente për të çmontuar kapacitetet në raketa balistike të Iranit si dhe ato të pasurimit bërthamor. Gatishmëria e regjimit për të synuar qytetarët izraelitë tregon kërcënimin ekzistencial që i paraqitet jo vetëm Izraelit, por edhe qyteteve evropiane ndërkohë që rrezet e veprimit të këtyre raketave zgjerohen.
Rezistenca e popullit izraelit shkëlqen edhe në këto momente të errëta. Të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të vepruar kundër kërcënimit të regjimit radikal iranian, ata mbeten shpresëplotë për një të ardhme me marrëdhënie paqësore me popullin iranian, i cili gjithashtu vuan nën atë sundimtar shtypës. Sulmi i sotëm forcon vendosmërinë e Izraelit për të siguruar që një barbarizëm i tillë që kërcënon jetët e pafajshme të mos lejohet më kurrë.
Regjimi radikal i Iranit përbën një kërcënim të menjëhershëm jo vetëm për ekzistencën e Izraelit, por edhe për parimet themelore që mbështesin shoqërinë e qytetëruar. Është absolutisht thelbësore të mbrohen jetët e pafajshme dhe të veprohet kundër agresionit të pamëshirshëm dhe fushatave terroriste të këtij regjimi. Vetëm veprimi vendimtar do ta thyejë ciklin e dhunës dhe do të vendosë qendrueshmërinë që miliona civilë në të gjithë rajonin e meritojnë dëshpërimisht.
*Ambasadore e Izraelit në Shqipëri
(BalkanWeb)