I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte këngëtari i njohur Devis Xherahu.

Përpara se të niste rrugëtimin nëpër kujtime, Devisi këndoi këngën “Asgjë si më parë”, duke dhuruar një atmosferë shumë të bukur në studio.

Devisi e cilësoi veten me fat pasi është rritur me shumë dashuri nga prindërit e tij. Ai rrëfeu se babait të tij, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë në vitin 2007, pëlqente shumë Elvis Presley dhe Demis Roussos dhe gjatë kohës që mamaja e tij ishte shtatzënë i ati vendosi që nëse do të bëheshin me djalë do ta quanin Devis, bashkimi i emrave të dy artistëve të mëdhenj me shpresën që edhe i biri do të bëhej këngëtar, sikurse ndodhi.

Gjatë bisedës Devisi kujtoi edhe fillimet e karrierës së tij, dhe një moment shumë i veçantë për të ishte kur në vitin ‘97 kishte shkuar në Greqi për pushime dhe rastësisht dëgjoi që zhvillohej një ‘talent show’ për të rinjtë. Ai pa u menduar dy herë vendosi të merrte pjesë dhe arriti të rrëmbente çmimin e parë në mes 30 konkurrentëve. Ky spektakël drejtohej nga aktorja e famshme greke Xhesi Papuci.

Devisi tregoi se pas këtij momenti karriera e tij muzikore mori një tjetër drejtim dhe sukseset vijuan të ishin pjesë e pandashme e tij.

Këngëtari gjatë programit mori edhe një videomesazh surprizë nga vëllai i tij, për të cilin tha se është shoku i tij më i mirë.
Mbrëmja në “Dola te Ola” u mbyll me një këngë shumë të bukur të interpretuar nga Devis Xherahu dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb