DEVOLL- Plot 72 krerë bagëti kanë ngordhur në fshatin Poloskë të Devollit nga goditja e rrufesë poshtë një pishe në arat sipër fshatit. Në momentin e rënies së rrufesë, delet kanë qenë duke qëndruar poshtë një pishe të vetmuar dhe për shkak të goditjes ka ngordhur 1/3 e tufës dhe një pjesë e konsiderueshme e bagëtive janë verbuar. Tufa e bagëtive është e blegtorit Fahri Ibo, i cili në momentin kur ka goditur rrufeja ka qenë disa metra më tej dhe fatmirësisht nuk është lënduar. Djali i tij, Erion Ibo rrëfen ngjarjen për ‘GSH’.

“Në momentin kur ra rrufeja, bagëtitë ishte duke i kullotur babai, te zona sipër fshatit. Delet po qëndronin poshtë një pishe, pasi po binte breshër i madh. Në atë çast, babai filloi t’i largonte delet nga poshtë pishës, për t’i çuar pranë pyllit aty pranë, sepse tek ajo pishë kanë rënë disa herë rrufe. Në atë çast ra rrufeja, kur babai ndodhej pak metra larg pishës. Tani i groposëm të gjitha, por kërkojmë ndihmë nga shteti për të na kompensuar të paktën gjysmën, sepse ne me ato rrojmë”, tha Ibo.

Të gjitha delet e ngordhura janë groposur në praninë e veterinerëve dhe përfaqësuesve të Drejtorisë së Bujqësisë. Por Ibo, tashmë bën thirrje për ta ndihmuar sadopak, pasi dëmi i shkaktuar është tepër i madh. Kjo nuk është hera e parë që në zonën e Devollit ndodhin fatkeqësi të tilla natyrore, por këtë herë fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: