Pasi dha dorëheqjen si kryeministër i Britanisë, emri i Boris Johnson përflitet se mund të jetë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ndërsa mandati i Jens Stoltenberg përfundon vitin e ardhshëm.

Lajmi është konfirmuar për The Telegraph nga figura të larta të Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku me disa deputetë ukrainas ata po negociojnë që ish-kryeministri britanik të marrë udhëheqjen e NATO-s vitin e ardhshëm.

Ndër figurat që po lakojnë emrin e Johnson është edhe ish-ministri i Brexit, David Jones, i cili e quan këtë “një ide brilante”.

“Boris ka qenë në ballë të nismës perëndimore kundër Putin-it. Boris, ishte ai që shkoi në Suedi dhe në Finlandë dhe i bëri thirrje liderëve të të dy shteteve të aplikonin për anëtarësim në NATO”, tha ai.

Kjo do të ishte hera e katërt që britanikët marrin përsipër këtë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, por zërat kritikë mendojnë se në këtë iniciativë, Boris Johnson me shumë mundësi mund të haset me veton e Francës.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili preferoi të mbetej anonim, tha për “The Telegraph”, se ka një probabilitet të lartë që Emmanuel Macron të mos e votojë këtë propozim.

“E vërteta është se NATO-ja funksionon në bazë të konsensusit. Çdo shtet mund të vendosë veto-n. Vërtetë mendoni se Macron do ta emërojë Johnson si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s? Kjo do të ishte një sfidë në vete për çdo kandidat britanik, dhe pikë. Atij do t’i duhej mbështetja e SHBA-së dhe po-ja e Francës”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb