Monedha turke lira shënoi ngritje të vlerës së saj. Kjo kthesë erdhi pas dorëheqjes së dhëndrit të presidentit turk, Reçep Tayip Erdogan nga detyra e ministrit të Financave. Ekonomistët thanë se dorëheqjet e Berat Albayrak, burrit të vajzës së madhe të Erdoganit, Esra dhe Murat Uysal, kreut të Bankës Qendrore, gjatë fundjavës, janë sinjal se Turqia po pranon gabimet e politikës financiare dhe po përgatitet të rrisë normat e interesit.

Monedha turke ka humbur gati një të tretën e vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit dhe kishte performansën më të keqe në botë muajin e kaluar. Deri më tani autoritetet kanë refuzuar të ngrisin normat e interesit.

Analistët dhe mediat turke spekuluan se dorëheqja e Albayrak u nxit nga kundërshtimi i tij ndaj emërimit të ish-ministrit të financave, Naci Agbal, të shtunën si kreu i ri i Bankës Qendrore. 42-vjeçari e ka shoqëruar shpesh Erdoganin në udhëtime të huaja dhe ka marrë pjesë në takimet me udhëheqësit botërorë. Ndërkohë, presidenti Erdogan e ka pranuar dorëheqjen e dhëndrit të tij nga ky post i rëndësishëm.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb