TIRANË- Kanë kaluar dhjetë ditë nga publikimi nga ana e Partisë Demokratike i audio-përgjimit ku implikohej Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por vetëm pas 10 ditësh Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur sot se ka nisur për ekspertizë jashtë vendit këtë përgjim, me të cilin akuzohet Agron Xhafaj se i ka siguruar drogë për të trafikuar dëshmitarit X. Gjithashtu Krimet e Rënda kanë nisur edhe verifikimin pasuror të Agron Xhafajt. Ky njoftim vjen edhe 2 ditë nga protesta e paralajmëruar e opozitës që mori shkas pikërisht nga kjo çështje.

“Gjithashtu njoftojmë se ka filluar dhe kryerja e verifikimeve pasurore për shtetasin Geron Xhafaj, i ditëlindjes 08.06.1975, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Krimet e Rënda deklarojnë se hetimet për trafik droge kanë nisur tre ditë pas publikimit të audio përgjimit, ndërsa më 18 maj edhe hetimi i Prokurorisë së Tiranës për kallëzim të rremë është bashkuar me atë për trafik droge tek Krimet e Rënda.

Prej ditësh Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Brendshëm se mbron të vëllain duke i siguruar paprekshmëri. Sipas PD-së Agron Xhafaj ka vijuar trafikun e drogës duke ngritur biznese, ndërkohë që i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë këtë çështje.

Kujtojmë se pas publikimit të audio-përgjimit ku dëshmitari X ose Albert Veliu fliste me një person të cilit i kërkonte ta ndihmonte me drogë dhe që supozohet prej tij se është Agron Xhafaj. Ky i fundit në përgjim e dërgonte tek një tjetër person për të marrë drogën, me justifikimin se po sulmohej vetë. Një ditë pas publikimit, kryeministri Edi Rama deklaroi se audio-përgjimi ishte i manipuluar pasi kishte marrë përgjigjen nga një laborator.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb