KORCE – Situata energjetike në vend vijon të jetë problematike. Dhjetëra fshatra nga veriu në jug po vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë elektrike. Disa fshatra në Korçë vijojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike, ndërsa temperaturat janë nën zero. Sot është dita e tetë pa energji, dhe banorët e fshatrave Zvezdë e Shën-Gjergj kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugën nacionale Korçë-Prespë. Sipas tyre, paguhet çdo faturë e energjisë elektrike, por për këtë fakt askush nuk do t’ia dijë.
Në komunën Qendër në Librazhd ka filluar puna për hapjen e rrugës që të ndërhyhet te shtyllat e rrëzuara. E njëjta situatë paraqitet në 7 komunat Stëblevë, Orenj, Hotolisht, Polis, Stravaj, Rrajcë, Qukës. Ndërkohë në veri të vendit, OSHEE raportoi dje se në Dibër, është rikthyer energjia në komunat Gollobordë, Ostren e Cerenec. Por sipas kryetarit të komunës Ostren Razi Rama, vetëm dy nga 13 fshatrat kanë energji elektrike.

Mësohet se grupet e punës së OSHEE-së kanë shkuar për të riparuar defektet e pësuara në shtyllat e tensionit të lartë për shkak të motit të keq. Gjithashtu në disa fshatra të komunave Trebisht, Shupenz, Gjoric, Kalaja e Dodës dhe Lurë, mungon energjia elektrike prej disa ditësh. Në Kukës pa energji elektrike e gjithë komuna e Grykëcaj, ndërkohë në Lekbibaj dhe Fierzë mungon energjia në disa fshatra.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: