NGA SHPRESA DINE*

SARANDE- Ndërsa është tepër e domosdoshme zgjerimi i sipërfaqeve të plazheve në Ksamil, për faktin se nga vitit në vit vjen në rritje numri që synojnë këtë qytezë për të pushuar, persona që nuk rezultojnë të jenë banorë të qytezës kanë pothuajse një muaj që masin sipërfaqe të tëra për t’u përdorur prej tyre.

Ata kanë shkuar të pajisur me gjithçka që duhet për matje sipërfaqesh deri edhe me inxhinierë e topografë dhe kanë matur sipërfaqe tokash në breg të detit. Sipas tyre ata matnin ato sipërfaqe tokash të marra me qira nga pronarët. Jo vetëm kaq por këta banorë disponojnë në duart e tyre edhe kërkesat me anët të të cilave i kërkojnë komunës t’i pajisë me leje ndërtimi.

Kjo ka bërë që banorë të Ksamilit, pronarë lokalesh, të irrituar që grumbullohen mesditën  e së premtes para komunës për të denoncuar këto veprime sipas tyre nga hajdutë tokash. Ata kërkojnë nga qeveria të mos heshtë përpara veprimeve të tilla, ku toka jepet me qira nga pseudopronarë me dokumente të falsifikuara.

Ky problem tepër shqetësues i banorëve nuk ishte i panjohur nga kryetari i komunës së Ksamilit, Besnik Abedini. Ai thotë se për këtë disponon edhe disa kërkesa për leje ndërtimi.

“Banorët faktikisht janë dhe të lidhur pazgjidhshmërisht me detin me vijën bregdetare sepse Ksamili, gjithë biznesi i realizon të ardhurat vetëm në dy tre muaj në sezonin veror. Këta që ju i quajtët pseudopronarë kanë dërguar pranë komunës kontratat e lidhura midis pronarit dhe personave të tretë me të cilat kërkojnë nga komuna që edhe të njihen si kontraktues të rregullt ndërkohë që kërkojnë edhe leje ndërtimi për lokale me konstruksion të lehtë. Të ndodhur në këtë situatë duke pasur parasysh në janar të këtij viti Ministria e Turizmit ka pezulluar tërë kontratat që komuna ka dhënë në vitin 2014 në lidhje më shfrytëzimin e plazheve po në këtë shkresë thuhet mes të tjerash ky pezullim ndërpritet deri në një vendim të dytë po nga kjo ministri, vendim i cili ende nuk ka dalë atëherë kryetari i komunës vetë është detyruar të këtyre kërkesave që kanë bërë këta kontraktues të mos u kthejë asnjë përgjigje për të thënë që përgjigjet do të jenë negative pasi gjithë puna dhe gjithë ky zhvillim do të jetë gjithmonë në kontrollin e ministrisë së ekonomisë dhe turizmit”, tha Abedini.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: