Rreth 60 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të hënën në një shpërthim në një kantier informal të minierës së arit në jug-perëndim të Burkina Fasos.

Shpërthimi, në një vend të improvizuar për grumbullimin e arit në Gomgombiro në jug-perëndim të vendit ndodhi kur shpërtheu një rezervë dinamiti, thanë zyrtarët lokalë dhe stafi i spitalit.

Shkaku i shpërthimit në provincën Poni nuk dihet ende, tha komisioneri i lartë i rajonit, Antoine Douamba.

Një burim spitalor tha: “Të paktën pesë viktima u janë nënshtruar plagëve të tyre, duke e çuar numrin në 55”, duke shtuar se numri mund të rritet pasi disa nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.

Gra dhe fëmijë ishin në mesin e rreth 60 të plagosurve në shpërthim, shumë prej tyre në gjendje kritike.

Burkina Faso është shtëpia e disa minierave kryesore të arit të drejtuara nga kompani ndërkombëtare, por edhe qindra zonave më të vogla, joformale funksionojnë pa mbikëqyrje apo rregullore.

Fëmijët punojnë shpesh në këto të ashtuquajtura miniera artizanale, aksidentet janë të zakonshme.

Burkina Faso, një nga vendet më pak të zhvilluara në botë, është nën sulmin e grupeve islamike të lidhura me Al Kaedën dhe Shtetin Islamik, të cilët kërkojnë kontrollin e vendeve të minierave si një mjet për të financuar sulmet e tyre të dhunshme.

Shpërthimi i së hënës ishte qindra milje larg vendit ku zakonisht veprojnë këto grupe dhe nuk kishte asnjë shenjë se militantët islamikë ishin të përfshirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb