Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon administratës tatimore që të hartojë politika tërheqëse me rajonin në mënyrë që ta bëjnë klimën e biznesit më të përshtatshme për investime të reja.

“Ka ardhur koha që të ndërtojmë politika tatimore konkurrente rajonale me intensive fiskale strategjike me synim tërheqjen e investimeve të huaja. Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria krijon politika tatimore që janë jo domosdoshmërisht ato më atraktivet në rajon dhe ka ardhur koha që ti shikojmë këto politika tatimore që të jenë interesante dhe inkurajuese për investitorët e huaj”, tha Enio Jaço.

Por, bizneset Amerikane në Shqipëri vazhdojnë të kenë edhe shqetësime të tjera, si evazioni fiskal dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH-së.

“Shqetësim është më i madh për ato tatimpagues që kanë shuma të konsiderueshme që janë shumë problematike në rimbursim për administratën tatimore dhe ndoshta ka një përmirësim për subjektet që janë importuese shuma të vogla çdo muaj”, u shpreh Alketa Uruçi, duke shtuar se “Kemi ndryshime në tarifat dhe normat tatimore për tatimpagues bazuar në xhiron e tyre. Ndryshe është tatimi për xhiro deri në 2 mln pastaj ndryshe në 5, në 8 dhe mbi këtë. Këto ndarje janë arsyeja bazë që tatimpaguesit e vegjël bëjnë evazion dhe synojnë që të rrinë nën limitin e 8 mln”.

Për të adresuar problematikat dhe kërkesat e Bizneseve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se kanë hartuar një plan strategjik 5-vjeçar.

“Gjatë vitit 2020 ne jemi duke hartuar një strategji afatmesme 5-vjeçare në bashkëpunim me MF e cila synon pikërisht atë që kërkohet nga komuniteti i biznesit që është politika tatimore afatgjata dhe të pandryshueshme”, deklaroi Dalina Ibrahimaj.

Këto ankesa të bizneseve vijnë në një kohë që administrate tatimore ka nisur kontrollin në disa sektorë të ekonomisë si ndërtimi, bar restorantet apo hidrokarburet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb