Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho ka reaguar për abuzimin e 6-vjeçares nga babai i saj, lajm i cili tronditi opinionin publik.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Xhixho shprehet se ngjarja është shokuese dhe se raste të tilla duhet trajtuar me seriozitet, ndërsa ka kujtuar edhe rastin e rëndë të përdhunimit që në moshën 12-vjeçare të një tjetër vajze në jug të vendit nga një familjar mbi 50-vjeçar.

“Raste të tilla, fatkeqësisht jo të izoluara duhen trajtuar siç duhet. Dhuna ndaj fëmijëve e grave sipas studimit 10-vjeçar të CRCA/ECPAT Shqipëri “Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri”, gjeti se të paktën 65 përqind e krimeve seksuale kryen ndaj fëmijëve, përgjithësisht fëmijë vajza”, shkruan ajo.

Po ashtu njofton se ka dorëzuar në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale ne bashkepunim me CRCA/ECPAT Shqipëri, ndërsa thekson se miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e femijëve e grave nga dhuna seksuale!

Reagimi i plotë:

E tronditur pas ngjarjeve ulëritese të fundit, dhunimit shtazor të vajzës 6-vjeçare nga i ati dhe përdhunimit që në moshën 12-vjeçare të një tjetër vajze në Jug të vendit nga një familjar mbi 50-vjeçar. E pafjalë si grua, e shokuar si nënë, por plot nerv për të bashkuar zërat, për ta ndryshuar këtë realitet.

Raste të tilla, fatkeqësisht jo të izoluara duhen trajtuar siç duhet. Dhuna ndaj femijeve e grave sipas studimit 10-vjeçar të CRCA/ECPAT Shqipëri “Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri”, gjeti se të paktën 65 përqind e krimeve seksuale kryen ndaj fëmijëve, përgjithësisht fëmijë vajza.

Dje dorëzova në Kuvend projekt-ligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale ne bashkepunim me CRCA/ECPAT Shqipëri. Miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e femijëve e grave nga dhuna seksuale!

Krijimin e Regjistrit Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale i cili duhet të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.

Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë.

Projekt-ligji ka për qëllim inkurajimin dhe përgatitjen e organeve kompetente shtetërore për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë, gratë dhe çdo individ nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, vepra penale që prekin jo vetëm dinjitetin e individit, por edhe shkaktojnë pasoja të rënda në funksionimin normal të qenies njerëzore, duke siguruar që Regjistri të jetë një mjet efektiv për të identifikuar vendodhjen e të dënuarëve për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre.

Ky eshte vetëm një hap i parë, që pret angazhimin e gjithë aktorëve të shoqërisë civile, qytetarët, median, kolegëve deputetë, akademikët. Të gjithë që mund të kontribuojnë me mendime sugjerime për të miratuar nje ligj që i shërben mbrojtjes së fëmijëve, grave nga dhunuesit seksualë.

Zëri ynë duhet sot, më i fortë se kurrë. E nesëmja është vonë dhe nuk do na e falë heshtjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb