TIRANË- “Dhuna nuk ka vend në shkollat tona!”, kështu e nis reagimin Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla lidhur me ngjarjen e publikuar ë media ku mësuesja dhunonte fizikisht një nxënës.

“Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit.
Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cenon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.
Dhuna nuk ka vend në shkollat tona! Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja”, kështu shkruan ministrja Nikolla në një koment të sajin publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Nikolla thotë se si Ministre e Arsimit dhe Sportit është e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale.

“Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video”, tha Nikolla.

Pas verifikimeve të kryera ministrja thotë se është identifikuar mësuesja në video dhe koha se kur ka ndodhur kjo ngjarje.
“Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9-vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe”, sqaron ministrja Nikolla.

Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallëzim pranë organeve përkatëse.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: