TIRANE – Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarin që dërgoi në agjencinë e lajmeve “BalkanWeb”, denoncimin për dhunën e ushtruar nga disa punonjës policie, ndaj një qytetari në Kavajë. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Facebook”, shefi i qeverisë inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo sjellje të patolerueshme.
“Faleminderit qytetarit që me videon e celularit çoi në ndëshkimin e sjelljes së patolerueshme të patrullës së policisë! Sa më shumë të tilla!”- shkruan Rama.
Pas videos së publikuar në “BalkanWeb”, Policia e Shtetit ka identifikuar punonjësit e policisë që ushtruan dhunë ndaj një qytetari në Kavajë. Policia e Shtetit bëri të ditur se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë këta punonjës u pezulluan nga detyra dhe ndaj tyre filloi procedimi administrativ.
“Policia e Shtetit falënderon qytetaret për sensibilitetin që ata tregojnë ndaj çdo shkelje dhe abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë dhe njëherazi i fton ata që të denoncojnë çdo rast abuziv që konstatojnë tek punonjësit e policisë në detyrë, me qëllim pastrimin e radhëve e Policisë së Shtetit nga punonjës që nuk kanë asnjë lidhje me misionin dhe detyrën që ka Policia e Shtetit. Ne jemi të vendosur që së bashku me qytetarët ta ngremë shërbimin policor në standardet e policimit demokratik”- thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: