TIRANË – “Teatër me persona të manipuluar” e ka konsideruar Ministria e Brendshme, protestën e organizuar sot në Kamëz nga një grup personash, përfshirë dhe një 32-vjeçar të quajtur Orest Deda, i cili ka pretenduar se është dhunuar nga Policia.

“Megjithëse Edi Paloka pretendoi se Orest Deda është dhunuar nga Policia, e madje tregoi edhe nje foto me shenja në fytyrë, përfaqësuesi i opozitës nuk shpjegoi se si këto shenja ishin zhdukur nga fytyra e Dedës brenda pak orësh,” ka deklaruar Ministria pak orë pas akuzave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Palokës, që drejtoi gishtin mbi Qeverinë për dhunimin e protestuesve.

MPB-ja, duke e dënuar abuzimin e opozitës, tha se ajo synon të hedhë baltë mbi punën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit, duke i dalë në krah çdo shkelësi të ligjit, përfshirë edhe kriminelët.

“Nuk është asnjë surprizë ky qëndrim i opozitës, – thuhej në deklaratën e dikasterit të drejtuar nga Saimir Tahiri. – Publiku i ka ende të freskëta në memorie se si në Lazarat, gjatë operacionit më të madh antidrogë në vend, opozita mbrojti banditët që qëlluan mbi Policinë e Shtetit dhe sulmonte punonjësit e policisë. Kjo u bë e qartë edhe në rastin më të fundit, ku pas kapjes së një grupi kriminal vrasësish me pagesë, opozita i mori në mbrojtje duke deklaruar se janë arrestuar padrejtësisht.

Sot, opozita akuzoi sërisht policinë se ka dhunuar pa shkak një qytetar në mjediset e Komisarisatit, por sërish nuk tha as të vërtetën dhe madje as identitetin e “viktimës”. E vërteta është se shtetasi Orest Ded Deda, 32 vjeç, banues në Zallherr të Tiranës, është shoqëruar në Komisariatin Nr.5 të Tiranës në datë 28.02.2015, i akuzuar se ka marrë pjesë në protestë të paligjshme në Kamëz, duke organizuar disa persona për të penguar qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor pranë Institutit Bujqësor në Kamëz.

Megjithëse Edi Paloka pretendoi se Orest Deda është dhunuar nga Policia, e madje tregoi edhe nje foto me shenja në fytyrë, përfaqësuesi i opozitës nuk shpjegoi se si këto shenja ishin zhdukur nga fytyra e Dedës brenda pak orësh, – theksohet në deklaratë.

Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkon opozitës t’i japë fund këtij teatri me persona të manipuluar dhe të heqë dorë nga përpjekjet për përbaltjen e Policisë së Shtetit,” – nënvizohej në përfundim.

Paloka tha sot se “Rama iu është përgjigjur me dhunë dhe burg, qytetarëve të Kamzës që protestonin për energjinë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb