Pas Spitalit Universitar ‘Nënë Tereza’ edhe Spitali tjetër Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ po e ndjen peshën e madhe të mbingarkesës shkaktuar nga fluksi i lartë i pacinetëve që përplasen cdo ditë në urgjencën e këtij spitali si edhe përmes sistemit të referimit.

I ftuar në studion e ‘BalkanWeb’, doktor Arjan Mezini, mjek pneumolog pranë këtij spitali, thotë se sistemi i referimit nuk po i jep zgjidhje situatës e cila rëndon direkt mbi bluzat e bardha.

Mezini thotë se Tirana ka nevojë urgjente për të paktën dy spitale rajonale të dedikuara për kryeqytetin që numëron sot 1 milion banorë c’ka sipas tij do të ulte ndjeshëm flukset në spitalet terciare ku prej kohësh nuk bëhet më shkencë.

Për mjekun e mirënjohur largimi i ekspertëve të shëndetit kryesisht drejt Gjermanisë vjen nga shumë faktorë ku rroga tejet e ulët nuk është e para në listë. Por ajo që nuk ndodh në asnjë vend të botës sipas tij është trajtimi i mjekut si kriminel sa herë që flitet për gabim mjekësor.

Në këtë pikë mjeku apelon që urgjencat të merren në ruajtje nga Policia e Shtetit pas rasteve të dhunës ndaj bluzave të bardha të regjistruara në Tiranë dhe Durrës.

Një studim i publikuar në tetor të 2018 nga organizata together for live financuar nga Foundacioni Gjerman Friedrich-Ebert zbuloi një fakt tejet tronditës. Nga 1000 mjekë shqiptarë të përfshirë në anketë, rreth 78% e tyre deklaruan se ishin gati të iknin menjëherë nga Shqipëria ose nëse do t’u paraqitej mundësia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb