Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Fëmijët në kopshtin privat “Diren” nuk janë dhunuar vetëm nga administratorja Anjeza Shabani, por edhe nga një edukatore që kishte punuar aty. Ky fakt u dëshmua nga një edukatore e këtij kopshti, gjatë një kamera të fshehtë të transmetuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Stop”. Në video shfaqej prindi i një fëmije dhe një prej edukatoreve. Kjo e fundit ka pranuar se fëmija 3-vjeçar nuk ishte i pari që është dhunuar, madje ai dhe të tjerë janë dhunuar sistematikisht.

Po ashtu, ajo tregon se edhe një ish-punonjëse, Elona Turdiu, ushtronte dhunë ndaj të vegjëlve. Më tej ajo rrëfen se dikur “rriheshin masivisht”. Sipas edukatores, Elona i çonte fëmijët në dhomën tjetër, i mbulonte me çarçaf dhe më pas i godiste që të mos u dalloheshin shenjat. Një tjetër zgjidhje për të fshehur shenjat e kuqe në trupin e të vegjëlve ishte përdorimi i një spraj, me të cilin i lyenin fëmijët pasi i rrihnin. “Periudha e dhunës ka filluar që në kohën e Elonës”, thotë edukatorja. Po ashtu, ajo tregon edhe pasojat e rënda që ka lënë dhuna barbare tek fëmijët, duke shfaqur rastin e një djali të mitur, i cili aktualisht po trajtohet në shtëpi nga një psikologe, pasi çohet natën e ulërin.

Turdiu në polici
Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë për “Gazeta Shqiptare” se Elona Turdiu është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë para transmetimit të videos. Të njëjtat burime bënë me dije se ajo u mor në pyetje mbrëmjen e së hënës nga Seksioni Kundër Korrupsionit. Turdiu është mbajtur për disa orë në polici, ku ka treguar me detaje për sa u përket akuzave të ngritura ndaj saj.

Aktualisht Elona Turdiu do të ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa dosja në ngarkim të saj dhe për hetime të mëtejshme i ka kaluar prokurorisë. Gjithashtu, mësohet se si provë materiale janë sekuestruar edhe pamjet filmike të transmetuara në emisionin “Stop”.

Dëshmia
Gjatë dëshmisë që ish-punonjësja e kopshtit privat “Diren”, Elona Turdi ka dhënë para oficerëve të policisë, ka pranuar se edhe ajo vetë ka ushtruar dhunë ndaj të miturve. Burime konfidenciale të policisë shtuan më tej për “GSH” se vetë Turdiu ka treguar se ka qenë personi i parë që ka informuar prindërit e fëmijës 3-vjeçar se djali i tyre i mitur dhunohej nga Anjeza Shabani.

Dhuna
Denoncimi për dhunën që ushtrohej ndaj fëmijëve në kopshtin “Diren” u bë nga babai i një djali 3-vjeçar. Ai tha: “Djali na ka ardhur me shenja në shtëpi, kemi konstatuar dhunë. Kur ai vjen në shtëpi, gjendja e tij është shumë e rëndë, ai nuk flet, ka shumë vështirësi në të folur, por me anë të shpjegimeve verbale dhe joverbale kemi arritur të kuptojmë se aty po ndodh diçka”. Ndërkohë, një javë më parë, Gjykata e Tiranës la në burg pa afat Anjeza Shabanin, e cila akuzohet për dhunë ndaj të miturve dhe shpërdorim të detyrës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: