TIRANE- Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar ngjarjes së rëndë të regjistruar në burgun e Fushë-Krujës, dy ditë më parë, ku një i dënuar dyshohet se është dhunuar në ambientet e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.

Pas dyshimeve se Adriatik Lala është dhunuar nga punonjësit e policisë së burgjeve, një ditë më parë edhe SHKBB nisi hetimin ndaj tyre, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë.

Po ditën e djeshme, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca urdhëroi nisjen e hetimit administrativ me iniciativë, “për ngjarjen e rëndë, ku shtetasi i dënuar A. L. rezulton të jetë dhunuar në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë Krujë”.

“Ekspertët e Avokatit të Popullit, pasi u njohen nga raportimet e mediave për ushtrim dhune (sipas mediave i dënuari mund të jetë dhunuar nga punonjës të policisë së burgjeve), nisën verifikimet përkatëse në përputhje me kompetencat që i njeh ligji. Ata morën kontakt si me shtetasin e dëmtuar, ashtu edhe me autoritetet drejtuese të IEVP Fushë Krujë. Gjatë vizitës në këtë IEVP merrnin pjesë edhe dy përfaqësues të Komitetit shqiptar të Helsinkit. Ekspertët e Avokatit të Popullit rekomanduan sot bërjen e një ekspertimi tjetër mjeko-ligjor dhe pas kryerjes edhe të disa veprimeve të tjera të nevojshme, Avokati i Popullit do të paraqesë rekomandimet përkatëse, për marrjen e masave konkrete lidhur me ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Dy ditë më parë u tha se i dënuari Adriatik Lala kishte hematoma në kokë dhe në trup, ndërkohë që hetimi do të hedhë dritë mbi ngjarjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb