KF Laçi ka reaguar për herë të parë për dhunën e djeshme në Ballsh ku lojtarët e dy ekipeve u përleshën me njëri-tjetrin në një konflikt fizik.

Nga reagimi zyrtar, mësohet se KF Laçi ka zhvilluar një mbledhje urgjente dhe ka pezulluar menjëherë sulmuesin Kyrian Nwabueze i cili jo vetëm ishte protagonist, por u ndëshkua dhe me të kuq.

KF Laçi dënon dhunën në Ballsh teksa garanton se do të marrë edhe masa të tjera për Nwabueze.

 

REAGIMI NGA KF LAÇI

Reagim i KF Laçi pas ngjarjes së ndodhur në ndeshjen kundër Bylisit

KF Laçi, pasi ka parë me qetësi gjithçka ka ndodhur përmes videove në ndeshjen me Bylisin, ka zhvilluar një mbledhje urgjente dhe ka vendosur pezullimin e përkohshëm të sulmuesit Kyrian Nwabueze. Sherri i djeshëm në sfidën me Bylisin dënohet nga klubi ynë, sikurse edhe sjellja e futbollistit tonë.

Pavarësisht arsyeve, nga ne nuk mund të pranohen veprime të tilla të dënueshme. Nisur nga gjithë situata e krijuar, Nwabueze do të jetë i pezulluar për momentin dhe ndaj tij do të merren edhe masa të tjera në një vendim të dytë. Dhuna në futboll nuk ka vend dhe ne si klub mbështesim futbollin e bukur dhe “fair-play”.

Urojmë dhe shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, pasi nuk i kanë hije këtij sporti të bukur. Ne si klub do të jemi në shërbim të vlerave dhe të rritjes së futbollit.

#ParaLaçi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb