ELBASAN – Çdo pasojë e ka një shkak. Këtë herë, falë edhe teknologjisë, është bërë e mundur, gati në kohë rekord, që të kuptohen arsyet e incidentit në “Elbasan Arena” mes tifozerive të Tiranës dhe Elbasanit.

Përtej ngacmimeve historike që “Tigrat Verdheblu” dhe “Fanatiksa”-t kanë pasur me njëri-tjetrin; përtej surprizave të vendësve, duke varur qese djathi në hyrje të zonës ku do të akomodoheshin tifozët miq, me qëllim acarimin e këtyre të fundit, ajo që i ka irrituar më shumë kryeqytetasit ka qenë lojtari i Elbasanit, Xhuljo Jaupi. 22-vjeçari, i rritur në akademinë e këtij klubi, ishte në pankinë në këtë ndeshje. Rreth minutës së 55-të ai doli në nxehje bashkë me dy kolegë të tjerë, për t’u bërë gati të futej në fushën e lojës (në fakt nuk u aktivizua fare në këtë ndeshje nga trajneri Muharrem Dosti). Ai shkoi pikërisht në anësoren e fushës, duke bërë një vrapim të lehtë, pikërisht aty ku ishin akomoduar edhe tifozët e Tiranës. Sakaq, pas çdo xhiroje të lehtë, lojtari i Elbasanit kthehej nga tifozët e Tiranës dhe prekte organet gjenitale, duke i provokuar në mënyrën më vulgare të mundshme. Videoja ka qarkulluar dje në rrjetet sociale në “Facebook” dhe në harkun e 1 minute e 35 sekondash, ky i fundit e ka bërë këtë gjest më shumë se dhjetë herë. Nga ana tjetër, dëgjohen ulërimat me sharje dhe ofendime të tifozëve të Tiranës, karshi këtij lojtari, i cili çuditërisht vijon që t’i provokojë, edhe kur përpara tij kalon delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë ndeshje, Denis Bastari. Ky i fundit kalon aty përpara, shikon gjestin e lojtarit, por nuk i flet (në fakt nuk e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë, pasi ai është vetëm në rolin e një vëzhguesi në kësi rastesh) duke vijuar drejt anësores ku sapo nisën ngacmimet e para mes tifozerive. Më pas është zyrtari i Tiranës, Eduard Gjini, që duket në video. Ky i fundit “lëshohet” nga pankina bardheblu drejt tifozëve të Tiranës, për t’i qetësuar këta të fundit, pa e ditur arsyen e acarimit. Vetëm pasi tifozët i tregojnë atij gjestet e Jaupit, shihet që Gjini shkon te lojtari duke i folur, madje duke i bërë edhe me gjeste me duar që të largohej që aty dhe të shkonte te pankina e Elbasanit. Menjëherë pas këtyre gjesteve nisin incidentet. Fillimisht portieri dhe kapiteni i Elbasanit, Elvis Kotorri, shkon te kryesori Andi Koçi për t’i raportuar sharjet në kor të tifozëve të Tiranës. Mirëpo, zgjat vetëm tri minuta qetësia, pasi Gentian Muça, në atë ndeshje në rolin e kapitenit të Tiranës, kërkoi nga tifozët kryeqytetas të mos shanin më. Brenda pak sekondave, aty mbërrin edhe një grup i tifozëve të Tiranës dhe në ato momente nuk mungojnë përleshjet. Stolat nga të dyja krahët fillojnë të vërshojnë mbi kokat e tifozëve, ku nga ana e verdhebluve nuk mungojnë edhe flakadanët në dëm të atyre nga kryeqyteti. Për disa minuta huliganët e të dyja kaheve u bënë “mbretër” të fushës, aq sa ia arritën të prishnin edhe takimin, duke qenë se ndeshja u ndërpre për aq minuta (8) sa edhe pati tension në shkallët e stadiumit.

Eduard Gjini: Ja çfarë i thashë lojtarit të Elbasanit

Në videon që ka qarkulluar dje në rrjetet sociale shihet qartë zyrtari i Tiranës, Eduard Gjini, që mundohet t’i qetësojë tifozët dhe i flet edhe lojtarit të Elbasanit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gjini tregon bisedën që bëri në ato momente aspak të qeta në stadium. “Sapo i pashë tifozët tanë që u acaruan shumë, u shkëputa nga pankina dhe shkova t’u flisja. Në fakt nuk e dija se cilat ishin arsyet, por vetëm vajta që t’u flisja. Ndërkohë që unë u kërkoja të qetësoheshin, ata ma bënin me shenjë dhe më ofendoin. Mos hajde te ne, por shko merru me atë atje. Në atë moment e ktheva kokën dhe pashë tre lojtarë të Elbasanit që bënin nxehje. Isha në fakt i acaruar edhe unë dhe nuk u përmbajta shumë: ore ti je idiot apo bën vetë kështu?! E di ti që gjithë ajo turmë e madhe, po të zbresë që aty, na vë të gjithë përpara. I ke mendtë në kokë?! Shko te pankina jote dhe mos na krijo probleme. Kaq i thashë dhe ajo gjë u mbyll me aq”, tha Gjini

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: