Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 të gazetares Evis Ahmeti u trajtua historia e dhunës në familje nga një 18-vjeçar me probleme të shëndetit mendor. Një histori e ndërlikuar që ka brenda dhunën, dhimbjen, por edhe mëshirën.

Një gjyshe që endet në dyert e institucioneve, që thërret mes klithmës së dhimbjes, për problemet madhore që i kanë pllakosur brenda banesës së saj të varfër sa vet jeta. Suzana nuk ka buzëqeshur kurrë, kur e thërret në emër duket sikur do të shfaqet një grua e lumtur por jo, është krejt e kundërta, përpara të shfaqet një grua e plakur nga hallet.

Ajo është gjyshja më e mirë në botë për nipat dhe mbesat, pasi për shkak të problemeve që vajza e saj pati që në rini, është detyruar t’i rrisë e vetme dhe pa asnjë mbështetje nga prindërit e tyre.

Por Suzana ditën e sotme ka mbërritur në studio për të apeluar ndihmë, për njërën nga historitë e kësaj familje. Ajo kërkon që nipi i saj që sot është 18 vjeç, të transferohet nga ambientet e burgut të Zaharisë, aty ku ai po qëndron, për shkak të problemeve të shumta dhe dhunës që ka ushtruar ndaj familjes dhe shumë banorëve në lagjen ku jetonte.

Suzana rrëfen dhunën që ai ushtronte si dhe rrezikshmërinë që ai sjell në shtëpi, por nga ana tjetër bën apel që këtë ta vuaj në një ambient tjetër brenda Tiranës pasi kushtet ekonomike të saj nuk e përballojnë dot vizitat që duhet të bëjë për ta takuar nipin, i cili vuan nga probleme te shëndetit mendor.

“I kam rritur me të keq fëmijët e mi pasi burri im ka vdekur shumë vite më parë. Veç fëmijëve të mi kam rritur dhe po mbaj edhe 4 fëmijët e vajzës pasi edhe ata vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Njëri nga çunat e gocës i cili sot është 18 vjeç ka ushtruar shumë dhunë në shtëpi e në komunitet, dhe për këtë në moshën 14-vjeçare është dërguar në burgun e Zaharisë. Ai nip as shkolle as gjë s’ka bërë, unë jam ndier e kërcënuar shumë më ka dhunuar edhe mua edhe të tjerët. Një ditë donte të therte me thikë vëllain e tij dhe mua. Kam rrezikuar jetën time dhe të fëmijëve prej atij nipi, sepse zemra nuk më bënte ta merrja policinë, por edhe kur ishte në spitalin psikiatrik donte të hidhej nga kati i 4-t. Ai fëmijë ka çrregullime personaliteti, ka sëmundjen e epilepsisë. Ai që 14 vjeç ka qenë në burgun e Tiranës pastaj e çuan në Zahari. Nipi ka disa vite me të njëjtën terapi dhe kjo terapi nuk i ka dhënë asnjë përmirësim. 4 vite qëndroi në spitalin e burgjeve, edhe aty nuk u përmirësua. Kur bëri 18 vjeç në janar të këtij viti e transferuan në burgun e Zaharisë. Kërkoj të sillet përsëri në burgun e Tiranës nuk mundem të shkoj ta takoj. Nëna e tij, vajza ime kur e çova ta takonte, ra në tokë sa e pa, por djali nuk e përballoi dot këtë gjë. Vajza ime është njëlloj si i biri të dy me probleme mendore. Para 10 ditësh tentoi vajza ime të hidhej nga spitali, të vetëvritej, nuk kam çfarë të bëj jam në një hall të madh me fëmijët e mi dhe të vajzës pasi të gjithë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Djali mbeti aty në burgun e Zaharisë, atij nuk i ulet agresitiviteti sepse nuk i jepen një diagnozë tjetër që ai të ketë ulje agresiviteti dhe unë ta marr në shtëpi që të jetojë dhe ai me motra e vëllezër. Unë dal dhe lyp në rrugë për të siguruar ushqimin atyre fëmijëve të sëmurë, ka momente që më ofendojnë, por s’kam çfarë bëjë sepse jam e detyruar”, tha gjyshja.

Në emision erdhi dhe zëri i babait të djalit, Erioni, i cili tha se nuk ka mundësi të shkojë të shohë të birin.
“Unë kam dy vite që nuk e kam takuar djalin, nuk kam mundësi ekonomike, është shumë larg deri atje te djali. Nuk kam mundësi të shkoj kam hallet dhe sikletet e mia. Mua më kanë ardhur kështu kushtet që nuk shkoj dot ta takoj, unë nuk do ju jap juve llogari që çfarë hallesh kam. Po të merrja 50 mijë lekë në ditë shkoja e takoja. Ajo ish vjehrra ime e di se çfarë bënë. Unë kam hallet e mia nuk shkoj dot, ta takoj”, tha babai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb