Nga: TEDI BLUSHI*
Dhunën nuk na e solli Anjeza! Atë e kemi midis nesh! Kafshë u bëra edhe unë kur pashë videon! Sepse ne të vrasim për një të parë në sy, për një gërvishtje makine, imagjino çfarë mund t’i bënim Anjezës në ato çaste! Kam dëgjuar edhe nëna që i përkëdhelin fëmijët “vdeksh, sa i mirë që je”! Kam parë edhe nëna që i zhdëpin kalamajtë “se kështu bëhen më të mirë!”. Ashtu siç shohim edhe baballarë që i gjakosin gratë në sytë e fëmijëve! Që iu vrasin nënat para syve! Prindër që krenohen me fëmijët që mbajnë pistoletë! A i patë ata dy burrat në Vlorë që bënin sehir atë mostrën që shkelmonte në rrugë nënën me dy fëmijë? Kush reagon kur sheh një grua që rreh fëmijën në supermarket? Në pallatin tënd, a i ke trokitur në derë komshiut që rreh gruan? I ke ndalur dorën një të riu që grushton të dashurën në mes të Bllokut?

Apo ke bërë sikur nuk e ke parë dhe ke vazhduar rrugën?! Po sot, çfarë bëmë? Hidhini një sy “Facebook”-ut: Të varet Anjeza! Sigurisht që instinktet kafshërore i ka çdo shoqëri! Ndaj është shteti! Si rregullator! Po cili shtet? Ai komunist?! Që na e deformoi më keq genin e na injektoi me shumicë dozën e dhunës në gjak?! “Njeriu për njeriun është ujk!” dhe “Plumbit me plumb”, thosh merhumi! Apo ky shteti demokratik? E patë ministren e Arsimit dje? Doli të fliste kundër dhunës e dhunoi verbalisht një gazetare! Cili shtet? Ai që nxit turmat të protestojnë kundër arrestimit të një kryebashkiaku përdhunues? “Vdektë kush nuk e do Elvisin”, çirrej kavajasja para kamerave.

Cili shtet? Ai që të burgos për një çati pa leje? Shteti që favorizon një karburant dhe u merr jetën dy fëmijëve që shkonin të vizitonin babain e burgosur për ca tjegulla pa leje? Cili shtet na mbron nga dhuna? Ai që të sekuestron prasin e kokoshkat? Shteti që ka çimka në çdo qoshe por që mbyll sytë para një kopshti fëmijësh pa leje? Cili shtet pra? Ndaj dhe “kafsha” brenda nesh del nga kafazi! Sepse shteti nuk e frenon, por e inkurajon! Dje “kafsha” e kishte emrin Anjeza! Nesër…kushedi!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: