Kanë kaluar mbi 6 muaj nga ngjarja, por policia dhe prokuroria ende nuk kanë një përgjigje, madje e kanë fshehur të vërtetën dhe duke mos qenë transparentë në dhënien e informacionit dhe mos e hetuar ngjarjen në kohë.

22-vjeçarja keniane është dërguar fillimisht në QSUNT në datën 14 gusht 2022 rreth orës 14:00. Neës24 disponon edhe epikrizën për të, ku thuhet se Joy është intubuar. Më pas rreth orës 19:55 të datës 14 gusht është dërguar në spitalin e Traumës në pavionin e Kirurgjisë me diagnozë politraumë. Por, ajo që nuk dihet ende është nëse në QSUNT është bërë ekspertiza mjeko-ligjore nëse vajza është përdhunuar. Ndërsa nëna e Joyt, Ruth Abongo hedh dyshimet se vajza e saj është përdhunuar dhe se në kofshët e saj është gjetur spermë. Jashtë ajo deklaroi se vajzat nga Gjeorgjia që gjetën Joyn kanë konstatuar shenjat e përdhunimit.

Kur e pyesim nënën e Joyt pse vajzat nga Gjeorgjia nuk e thonë këtë ajo shprehet se nuk mund të flasin.

– Po, ato nuk mund të flasin.

-Janë të frikësuara?

– Nuk janë të frikësuara, por janë udhëzuar që të mos flasin.

Kur i kërkova Emilisë që t’u thoshte atyre se sa shumë e vlerësoja dhe se do të doja t’i takoja, sipas Emilisë ato kishin thënë se edhe ato donin të më takonin, por më vonë ato nisën të nxjerrin justifikime derisa një ditë dërguan një person të më thoshte se nuk mund të më takonin vetëm. Ato duhet të më takonin në praninë e menaxherit.

Ndërkohë në kërkesat që i është bërë Institutit të Mjekësisë Ligjore, përgjigja lë shumë hije dyshimi. Në një përgjigje të pashpjeguar qartë të datës 21 dhjetor 2022, IML thotë së vajzës keniane i është bërë një akt ekspertim i parë më datë 2 shtator 2022, pra rreth tre javë pas ngjarjes. Ndërsa më tej sipas IML akt ekspertimi i kërkuar me vendim të datës 9 shtator 2022 është ende në pritje, vendim që sipas përfaqësuesve ligjorë të vajzës keniane nuk dihet nga cili autoritet e ka kërkuar ekspertimin dhe me çfarë vendimi është kërkuar dhe presim të sqarohet.

Pra nga data 9 shtator kur është bërë kërkesa siç thuhet në shkresën e IML deri më 21 dhjetor 2022 kur është kthyer përgjigja, pra për rreth 3 muaj e gjysmë nuk është bërë akt ekspertimi mjeko-ligjor, por edhe sot pas 6 muajsh nga ngjarja ende nuk dihet zyrtarisht nëse është bërë ky akt ekspertim mjeko-ligjor dhe nuk ka një përgjigje zyrtare për përfaqësuesin ligjor të vajzës keniane.

Por paqartësia dhe mos koherenca e fakteve që prokuroria deklaron dhe IML jep në përgjigje vijon edhe më tej. Në dokumentin që News24 disponon që mban më atë 8 nëntor dy ditë pasi ngjarja u bë publike pasi ishte mbajtur e fshehur për rreth 3 muaj, prokuroria deklaron se ka nga ana e tyre është proceduar me regjistrimin e procedimit më datë 22 shtator, rreth 6 javë pasi kishte ndodhur ngjarja.

Madje prokuroria deklaron se janë marrë edhe deklarime të personave në dijeni të ngjarjes dhe se nuk janë përfituar të dhëna me interes për hetimin e ngjarjes, si dhe se është administruar akt ekspertimi i parë i cili thotë se te vajza keniane janë konstatuar dëmtime të rënda, pa e sqaruar nëse është dhunuar apo jo. Teksa i rikthehemi edhe njëherë përgjigjes së IML, ku thotë se për marrjen e përgjigjes së akt-ekspertimit duhet t’i drejtohemi prokurorisë sepse ai është organi kërkues i këtij ekspertimi. Ndërkohë që prokuroria e ka regjistruar procedimin penal me datë 22 shtator, në dokumentin e IML thuhet se akt ekspertimi i kërkuar është me vendim të datës 9 shtator 2022.

Por disponojmë edhe një vendim gjykate të datës 11 nëntor 2022, 5 ditë pas ngjarja u bë mediatike dhe rreth 3 muaj pasi kishte ndodhur, pas kërkesës se prokurorisë, gjykata ka vendosur marrjen e gjurmëve papilare si dhe të kampionit biologjik të vajzës keniane. Po ashtu në këtë vendim gjykate thuhet se në vendngjarje janë gjetur një shiringë dhe një shishe alkooli konjak Skënderbeu dhe se sipas prokurorisë në këto dy objekte janë gjetur gjurmë të vlefshme për identifikim. Por kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga data e marrjes së këtij vendimi dhe ende, përfaqësuesit ligjorë të vajzës keniane nuk kanë një përgjigje. Joy ndërroi jetë dhe tashmë dhe vepra penale “Plagosje e rëndë me dashje” nga pasoja që ka ardhur do të ndikojë në cilësimin dhe rikualifikimin e veprës penale, ose do bëhet vrasje në rrethana cilësuese ose plagosje e rëndë me dashje, por paragrafi i 3 sepse ka sjellë si pasojë vdekjen e personit.

E gjithë pjesa hetimore e çështjes nga prokuroria dhe policia ka vetëm paqartësi dhe ngelet për t’u sqaruar se si është proceduar duke qenë se datat kanë mospërputhje. Edhe vetë nëna e Joyt, Ruth Abongo ka rezerva për prokurorin e çështjes ku shkruan se është habitur kur në zyrën e prokurorit i kanë thënë se nuk e kanë aksesuar kurrë telefonin e Xhoit në prani të policisë që ishte në drejtim të çështjes dhe kur i ka thënë që polici i turnit e ka hapur telefonin me Emilinë prokurori ka heshtur. Më tej nëna shkruan se “Kur ata refuzuan dhe unë kërkova foton e Xhoit në skenën e krimit, nuk mund te besosh 2 lidhjet. As vetëvrasje. Aty qava sepse e di që ata e dinin ngjarjen, por bënin sikur nuk e dinin”.

“Nuk më ka pëlqyer mënyra sesi më kanë trajtuar. Kur më çuan te rajoni i policisë shkova me administratorin dhe një grua tjetër. Polici kryesor ishte në rregull sepse shkuam te zyra e tij dhe thirri policin që mendoj se ishte në drejtim të kësaj çështjeje ose që mori deklaratat, ai po më kufizonte ose po më ndalonte kur po jepja opinionin tim dhe nuk më pëlqeu sepse më duket se ishte me opinion të tij. Edhe kur shkuam në shtëpi ai vazhdonte të këmbëngulte se vajza ime kishte rënë nga dritarja. Ai më thoshte se vajza kishte rënë nga dritarja. Ndoshta po pinte cigare në dritare dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Po përse duhet të shpërndante ushqimin nëpër krevat kur kishte në plan të hidhej. Kur doja të bëja fotografi në vendin ku ishte gjetur trupi, ai më tha, jo mos bëj fotografi, shko në prokurori dhe vetëm kaq mund të bëjmë. Nuk më pëlqeu mënyra sesi po më trajtonte”, thotë ajo.

Nëna e Joy-t në fund ka edhe një mesazh për vendin tonë, se çfarë reputacioni dhe shije të keqe la për Shqipërinë jashtë vendit ngjarja e rëndë me Joyn.

“Është për të ardhur keq që kjo gjë i ndodhi Xhoit. Shumë për të ardhur keq që kjo i ndodhi një vajze keniane në Shqipëri që duhet të jetë një vend i paqtë me njerëz të dashur. Kushdo që e bëri këtë, është treguar shumë i padrejtë. Për policinë, shpresoj ta trajtoni këtë çështje si diçka urgjente dhe serioze sepse nuk është vetëm një reputacion i keq për policinë, por për të gjithë Shqipërinë sepse kjo nuk do të kujtohet vetëm për Xhoin, por për të gjithë vizitorët që në të ardhmen mund të kenë interes për të ardhur për mundësi pune këtu dhe për punëdhënësin, mënyrën se si e keni trajtuar rastin e Xhoit”, tha ajo.

Prokuroria dhe policia e dinë të vërtetën e ngjarjes. Por, sa vlen jeta e një njeriu në Shqipëri? A nuk mbrohet me ligj jeta si një e drejtë e patjetërsueshme? Ekziston drejtësia njerëzore e cila mund të blihet, por mos harroni Joy është në qiell dhe drejtësia hyjnore është e pakorruptueshme dhe gjithmonë triumfon.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb