Protesta e mbajtur më 6 dhjetor nga opozita, për ish-deputetin e PS, Arben Malaj, nuk përbënte asnjë shqetësim për faktin se në atë ditë u mbajt edhe Samiti i BE-Ballkani Perëndimor.

Në një intervistë të dhënë sot në rubrikën “Opinion” në News24, Malaj tha se ishin vetë liderët e BE të cilët thanë se protesta ishte e pranueshme, edhe pse qeveria u mundua ta trajtonte si diçka që do të sillte dëm për vendin.

Sa i takon dhunimit të Sali Berishës, ai u shpreh se është e papranueshme dhe akt i dënueshëm, duke shtuar se do ishte mirë që të mos “i fryhej agresivitetit”. Sipas tij protestat e opozitës mirë është të vazhdojnë, ndërsa qeveria duhet të reflektojë lidhur me përmirësimet që duhet të bëjë në drejtimin e vendit.

“Lidhur me protestën në 6 dhjetor, pala shqiptare ose mazhoranca u mundua ta trajtonte si diçka që krijonte dëm për vendin, kur në fakt liderët e BE janë përditë përballë grevave dhe protestave në vendet e tyre dhe ecilësuan të pranueshme atë.

Lidhur me incidentin që ndodhi, nga pikëpamja njerëzore është e papranueshme. Duhet bërë kujdes që një situatë sociale të mos shkojë në veprime të cënueshme.

Është akt i dënueshëm, drejtësia të bëjë punën e vet. Do ishte e domosdoshme që dhe kolegët e PD që kanë dalë dhe i fryjnë agresivitetit të kenë parasysh se vendi ka kaluar situata të vështira, natyrshëm protestat mund të vazhdojnë dhe mirë është të mos ketë asnjë lloj incidenti dhe njëkohësisht qeveria ka nevojë të ndjejë se çfarë duhet përmirësuar më mirë në drejtimin e vendi”, deklaroi Malaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb