DURRËS- Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Shkallnur ku dy të moshuarit Maliq dhe Shahe Elezi, u dhunuan dhe u grabitën nga persona të armatosur dhe me maska.

Policia ka vënë në pranga 4 persona, 2 prej tyre vëllezër dhe zbardh gjithë skemën e grabitjes. Dje policia njoftoi se shoqëroi dy persona të dyshuar ndërsa përmes tyre me sa duket ka arritur të zbardhë ngjarjen e plotë.

Për më tepër mësohet se arrestimi i 4 autorëve u bë i mundur në bashkëpunim me policinë Kufitare Kakavijë dhe Drejtorinë e Policisë Korçë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës pas një pune hetimore intensive dhe të mirëorganzuar, me metoda speciale, pas provave të administruara në rrugë shkencore dhe procedurale kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 20.11.2017, ku katër shtetas të maskuar kanë dhunuar fizikisht një çift bashkëshortësh dhe vjedhur banesën e tyre në Shkallnur.

Janë ndaluar autorët e dyshuar, konkretisht shtetasit:
• Niko Papajorgji 35 vjeç, banues në Durrës;
• Marsel Papajorgji 30 vjeç, banues në Durrës.
• Julian Qamili 43 vjeç, banues në Durrës;
• Erind Seferkolli 30 vjeç, banues në Korçë.

Shtetasit e mësipërm, më datë 20.11.2017, rreth orës 03:00, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar fizikisht dhe kanë vjedhur banesën e shtetasve Maliq Elezi, 77 vjeç dhe Shahe Elezi, 69 vjeçe, banues në Shkallnur.

Mekanizmi i ngjarjes:
Niko dhe Marsel Papajorgji (vëllezër me njëri-tjetrin) në rolin e nxitësve dhe
ndihmësve kanë bërë roje, ndërkohë që në banesë janë futur nga dritarja shtetasit Julian Qamili dhe Erind Seferkolli (ekzekutorët)të cilët kanë dhunuar dhe lidhur çiftin.

Në vijim gjatë kontrollit të kryer në banesë kanë gjetur dhe kanë vjedhur 160 000 lekë të reja.
Më pas autorët janë larguar.

Nga veprimet hetimore paraprake të kryera është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve.

Kapja dhe ndalimi i tyre është bërë e mundur si rezultat I bashkëpunimit të Policisë Kufitare Kakavijë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Të dëmtuarit, shtetasi M.E. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve ndërsa shtetësia SH.E. është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim parashikuar në nenin 139, 25 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: