PUKË- Një elektricist i OSHEE është goditur këtë pasdite teksa ishte në krye të detyrës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zvin të Njësisë Administrative Iballë. Bajram Hyseni me profesion elektricist pranë OSHEE, Pukë kishte udhëtuar mëngjesin e kësaj të marte drejt zonës së thellë veriore. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur së punonjësi i OSHEE ishte në një familje ku po lexonte matësin elektrik kur është goditur barbarisht. Si pasojë e goditjeve me mjete të forta Bajram Hyseni ka pësuar dëmtime serioze.

Autoritetet lokale të shëndetësisë kërkuan ndihmën e helikopterit të Ministrisë së Shëndetësisë për transportimin e tij drejt Spitalit të Traumës.

Ndërkohë policia ka identifikuar autorin që ka dhunuar barbarisht elektricistin. Sipas bluve ai është shtetasi Petrit Marashi 44-vjeç, i cili e ka qëlluar elektricistin në gjendje të dehur. Policia ka rrethuar zonën ku fshihet autori, ndërsa i është dashur 1 orë e 30 minuta për ta arrestuar atë.

Policia e SHkodrës njoftoi se, “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Zvinë të njësisë administrative Iballë, ku një shtetas ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar rrezik për jetën një punonjësi të kompanisë Oshee me detyrë faturist, ju informojmë se: Efektivat e Komisariatit Policisë Pukë menjëherë porsa kanë marrë njoftim, kanë shkuar në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin për në ambjentet e policisë të shtetasit:
• Petrit Marashi 44 vjeç, banues në fshatin Zvinë.
Kapja dhe shoqërimi i këtij shtetasi u bë pasi: Dyshohet se ky shtetas pas dyshimeve se faturisti i kishte faturuar më shumë kilovat orë energji elektrike sesa ai pretendonte se kishte harxhuar ka goditur me mjete të forta, shtetasin Bajram Hyseni 47 vjeç me detyrë faturist, me banim në qytetin Pukë. Për pasojë shtetasi Bajram Hyseni, ka marrë plagë të rënda i cili është transportuar me helikopter për në Tiranë. Në përfundim të veprimeve të para do t’ju përcjellim informacion të plotë”.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: