TIRANE- Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin e një rasti jo të zakonshëm të dhunës në familje. E pandehura Vitore K., 49 vjeç, është shpallur fajtore për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortit të saj. Sipas Gjykatës, ngjarja kishte ndodhur në shkurt të vitit 2014 në banesën e çiftit në kryeqytet, ku e pandehura akuzohet të ketë dhunuar bashkëshortin e saj, F. K., duke i shkaktuar atij plagë në fytyrë Por situata është denoncuar gati një vit më vonë në Komisariatin e Policisë Nr.4 në kryeqytet nga ana e bashkëshortit të dhunuar.

Gjatë gjykimit, 49-vjeçarja ka pohuar se ditën e ngjarjes bashkëshorti ishte kthyer në banesë i dehur. Ajo ka debatuar me të dhe e ka shtyrë me forcë. Sipas saj, ai është rrëzuar përdhe, pasi nuk e mbanin këmbët. “E ndiej gabimin, jam shumë e penduar. Ju premtoj se nuk do e përsëris, nuk do e shtyj më burrin tim”, është shprehur e pandehura, duke shtuar se ata i kanë normalizuar marrëdhëniet dhe tashmë jetojnë me njëri-tjetrin. Pendesa e 49-vjeçares nuk e ka prekur gjykatën, e cila e ka dënuar me 3 muaj burg për akuzën e “dhunës në familje”, citon panorama. E pandehura nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli, për shkak se gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg. Ajo do të qëndrojë liri me kusht për një periudhë prej 18 muajsh, gjatë së cilës nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

KALLËZIMI
Referuar vendimit të gjykatës, më 12 janar 2015, shtetasi F. K. ka bërë një kallë¬ zim në Komisariatin e Policisë Nr.4, në Tiranë, kundër bashkëshortes së tij, Vitore K. Para oficerëve të policisë, ai ka theksuar se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht më 15 shkurt 2014. Para oficerëve kallëzuesi është paraqitur me shenja plagësh në hundë dhe në pjesë të tjera të fytyrës. Pak ditë pas kallëzimit, ai i është nënshtruar një akt ekspertimi mjekoligjor, i administruar si provë në proces.

“Tek i dëmtuari F. K. u konstatuan enjte dhe plagë e kurrizit të hundës, ekimoza të kapakëve të poshtëm të syve me zona hemorragjike në pjesët e bardha të tyre etj., me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse. Dëmtimet e mësipërme futen në kategorinë e atyre që kanë sjellë një humbje të përkohshme të aftësisë për punë në masën deri në nëntë ditë”, citohej akti i ekspertimit në vendimin e gjykatës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: