TIRANE – Gjykata ka lënë në burg presidentin e Klubit të Kastriotit, Alban Vogli, i cili akuzohet për dhunimin e gazetarit sportiv Eduard Ilnica.

Gjykata pranoi sot kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alban Voglin, mbi të cilin rëndon akuza e “plagosjes për shkak të detyrës” dhe akuza për “plagosje të rëndë me dashje”.

Gazetari i “Telesport” Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona në afërsi të rrethrrotullimit te “Zogu i Zi”. Me shenja të dukshme dhune, vetë gazetari deklaroi se ishte dhunuar nga drejtues të klubit të Kastriotit dhe më konkretisht, nga presidenti Alban Vogli.

Ai u shpreh se nuk e kishte të qartë se përse kishte ndodhur kjo, por dyshohet se ka të bëjë me qëndrime kritike të tij kundrejt ekipit të Kastriotit.

“Isha duke pirë kafe me disa miqtë e mi në afërsi të Zogut të Zi. Zakonisht mblidhemi aty në mbrëmje edhe me përfaqësues të klubit të Korabit. Pasi u largova nga lokali u drejtova për te automjeti im, por aty mu afruan disa persona dhe pa më thënë asgjë nisën të më godasin. Njëri ndër ta ishte edhe Alban Vogli, presidenti i Kastriotit. Nuk kam pasur asnjë konflikt me ndokënd dhe nuk e di pse ndodhi kjo. Gjithçka ia kam thënë edhe policisë”, – deklaroi Ilnica, pasi kishte marrë mjekimin në Spitalin Ushtarak.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: