Nga: MIRSAD RAKAJ*
SHKODER- Nuk do të nxësh dije,bën dhe zhurmë në shkollë, atëherë e meriton ndëshkimin e mësuesit, edhe në ndonjë rast kur ky ndëshkim e kalon masën. Të paktën kështu mendon komuniteti i prindërve të fëmijëve që mësojnë në shkollën 9-vjeçare “Gjon Ndoci” në Bushat të Shkodrës.

Vetëm pesë ditë pasi Ministria e Arsimit pezulloi nga detyra mësuesen e kësaj shkolle, e cila shfaqej në një video duke dhunuar një nxënës, ka ardhur edhe reagimi i prindërve. Rreth orës 08:00 të ditës së djeshme ata janë hedhur në protestë, ndërsa kanë kërkuar rikthimin e mësueses së Gjuhë-Letërsisë, Nevila Duraj. Gjatë tubimit të mbajtur para shkollës në fjalë, prindërit e nxënësve deklaruan se Duraj është grua e shkëlqyer, mësuese profesioniste dhe shumë e komunikueshme.

Mes prindërve ka qenë edhe nëna e nxënësit të klasës së 7-të, i cili shfaqej në video teksa qëllohej disa herë me shpullë nga mësuesja. Shpresa Uka shprehu vlerësimet më të mira për mësuesen e djalit të saj.

“Kam kërkuar disa herë që djalit tim t’i tërhiqej vëmendja, madje i kam thënë edhe mësueses që ta godiste nëse ai i prishte orën e mësimit. Unë dhe bashkëshorti im e vlerësojmë maksimalisht Nevila Durajn dhe kërkojmë rikthimin e saj në shkollë”, – tha nëna e nxënësit të dhunuar E.U.

Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe prindërit e tjerë, të cilët kërcënuan se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë derisa të rikthehet mësuesja Nevila Duraj. Videoja ku shfaqej mësuesja e shkollës 9-vjeçare “Gjon Ndoci” u publikua mbrëmjen e së premtes që shkoi në internet (faqen e ‘Facebook’-ut “Jeta OSH QEF”). Menjëherë pas publikimit të videos, mësuesja pranoi se e kishte dhunuar nxënësin. Ajo shpreh për “Gazeta Shqiptare” se ngjarja kishte ndodhur afro një vit më parë.

“Është e vërtetë se unë e kam goditur me pëllëmbë në kokë nxënësin E.U. Të them të vërtetën, në fillim kur erdhi në shkollë ka qenë shumë djalë i mirë dhe ka prindër shembullorë. Por, kohët e fundit u bë një fëmijë i zhurmshëm dhe vinte i papërgatitur në mësim. Ka qenë një moment, kur ai bëri zhurmë në klasë dhe unë shkova dhe e qëllova me pëllëmbë. E di se kam bërë gabim, e pranoj, dhe për këtë i kam kërkuar falje nxënësit”, – tha Nevila Duraj. Ndërkohë, ajo u kërkoi falje të gjithëve për veprimin që kishte bërë. Nga ana tjetër reagoi Ministria e Arsimit, e cila pezulloi mësuesen.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: