Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Mihal Kokëdhimën, pronarin e lokalit “Panorma”, në Porto Palermo, që dhunoi turistët spanjollë, ngjarje që shkaktoi zemërim dhe bujë të madhe në opinionin publik.

Pak ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kokëdhimën, ndonëse ky i fundit nuk pranoi akuzat dhe avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë, duke ofruar garanci pasurore deri në 3 mijë euro.

Masa në Apel ndaj Kokëdhimës është vlerësuar nga gjyqtarët Skënder Damini, Klodiana Gjyzari dhe Petrit Aliaj, ndërsa prokuror ishte Kleant Zeka. Në Apel, Kokëdhima është përfaqësuar nga avokati Gëzim Veleshnja, ndonëse në Shkallën e Parë ka pas avokatë të tjerë.

Pala mbrojtëse e biznesmenit ka ngritur të njëjtin pretendim si në seancën e parë, duke kërkuar një masë sigurie më të lehtë për të.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe jashtë vëmendjes së medias. Pala mbrojtëse e Kokëdhimës kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë, por që Apeli ka lënë sërish në fuqi masën e “arrestit me burg”.

Mihal Kokëdhima u arrestua pas dhunës së turistëve, ndërsa akuzohet për “kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Kokëdhima dhunoi turistët spanjollë, të cilët u larguan nga restoranti i tij, pasi nuk iu kishte pëlqyer shërbimi. Ai iu ishte vënë pas dhe pasi iu kishte prerë rrugën, ishte ngjitur në pjesën e përparme të makinës, duke dhuruar një skenë skandaloze, që u publikua edhe nga mediet e mëdha botërore.

Pas arrestimit të tij, shteti vendosi t’i prishë atij edhe biznesin, i cili u hodh përtokë pas një aksioni të IKMT.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: