Sot në gjykatën e Sarandës është zhvilluar seanca për urdhër mbrojtje për dy fëmijët e 41-vjeçares Elisabeta Mita, për të cilën një ditë më parë u vendos masë sigurimi “Arrest në burg”.

Gruaja është shfaqur me kapuç në kokë teksa mbulonte fytyrën për të mos u filmuar nga gazetarët. Fëmijët, vajza nga martesa e parë dhe djali me ish-bashkëjetuesin Arjan Mekollari janë marrë nga prindërit e 41-vjecares që banojnë në Fier. Gjyqtarja Nevrie Duka vendosi sot që fëmijët të jenë në kujdestarinë e familjes Mita në Fier, ndërkohë që ata do vijnë të banojnë në banesën me qira të vajzës së tyre për arsye se vajza është në shkollë.

Avokati i gruas tha se Gjykata vendosi në favor të fëmijëve dhe bashkëjetuesi i saj do të largohet nga shtëpia.

“Sot klientja ime ka qenë në gjykatë me kërkesë padi për të marrë urdhër mbrojtjeje për dy të miturit, që i kanë marrë në kujdestari familjarët e saj si dhe për veten e saj. Urdhri i mbrojtjes u mor sipas kërkesë-padisë dhe objektit që ne paraqitëm. I padituri Mekollari ose bashkëjetuesi i paditëses do të largohet nga shtëpia përfundimisht dhe në këtë shtëpi do të vazhdojnë të jetojnë të dy të miturit nën kujdestarinë e familjarëve të saj deri sa të zgjidhet problemi penal për të cilin akuzohet paditësja Elisabeta Mita. Gjykata sot në një gjyq maratonë pasi dëgjoi palët dhe mblodhi provat doli në konkluzion se urdhri i mbrojtjes duhet të merret dhe gjykatësja dha një vendim në favor të të miturve”, deklaroi avokati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb