TIRANE– Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka akuzuar ish-zv.ministren e Brendshme, Elona Gjebrea se ka udhëtuar drejt Greqisë me makinën e Habilajve.

Në një deklaratë për mediat, Çupi i ka kërkuar deputetes socialiste Elona Gjebrea t’i përgjigjet disa pyetjeve.

“Elona Gjebrea ka udhëtuar më shumë se njëherë me makinën e drogës së Habilajve. Ndaj ajo duhet të sqarojë publikisht, pse udhëtoi privatisht për në Greqi. Pse nuk udhëtoi me makinë dhe shoferin e saj? Pse nuk udhëtoi me makinën e saj private. Duhet të përgjigjet nëse është takuar me Habilajt, nëse po, për çfarë ? Cilët drejtues të lartë të shtetit ka informuar? Si deputete e Kuvendit, duhet të përgjigjet nëse ndjen ndonjë përgjegjësi politike e morale ndaj qytetarëve për lulëzimin e krimit në 4 vite që ajo ishte në Qeveri”, tha deputetja Çupi.

DEKLARATA E PLOTE

Deputetja Elona Gjebrea, krahu i djathtë i Saimir Tahirit për katër vjet në krye të Ministrisë së Brendshme, ka disa ditë që shmang pyetjen e thjeshtë, nëse ka udhëtuar në Greqi me makinën e vëllezërve Habilaj.

Dje, ajo refuzoi me arrogancë t’u përgjigjet pyetjeve direkte të gazetarëve për këtë çështje. Arsyeja është e thjeshtë: Elona Gjebrea ka udhëtuar më shumë se një herë në makinën e drogës së Habilajve.

Prandaj Elona Gjebrea duhet që të sqarojë publikisht:
· Pse udhëtoi privatisht për në Greqi?
· Pse në këto udhëtime nuk mori makinën dhe shoferin e saj?
· Pse nuk udhëtoi qoftë edhe me makinën e saj private?
· Pse zgjodhi të udhëtojë me makinën e Habilajve?

Zonja Gjebrea duhet gjithashtu t’i përgjigjet pyetjes:
· A është takuar ndonjëherë me Habilajt?
· Nëse po, përse është takuar?

Zonja Gjebrea duhet gjithashtu të sqarojë opinionin publik:
· Si Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit a ka qenë ajo e informuar për trafikun masiv të drogës dhe të armëve nga Shqipëria në Itali dhe Greqi?
· Cilët drejtues të lartë të shtetit ka informuar?
· Çfarë masash ka marrë ajo për këtë gjë?

Si deputete e Kuvendit të Shqipërisë ajo sot duhet të përgjigjet edhe për një pyetje tjetër:
· A ndjen kjo përfaqësuese e popullit ndonjë përgjegjësi morale dhe politike për lulëzimin e krimit dhe të drogës në Shqipëri gjatë katër viteve që ajo ishte numër 2 i Ministrisë së Brendshme?

Është koha që Elona Gjebrea të përballet me përgjegjësitë e veta. Krimi në Shqipëri lulëzoi, se me të u bë palë direkt apo indirekt e gjithë qeveria, përshi Elona Gjebrean. Cilado qoftë apo jo përgjegjësia penale e Elona Gjebreas, sot është dita që ajo t’i kërkojë falje popullit të saj dhe të bashkëpunojë me drejtësinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb