NGA AHMET SHQARRI

Kryeministri Rama e quajti dhuratë për Shkodrën rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”, por paralajmërimi i këtyre ditëve për ndërprerjen e punimeve të tij, më shumë ngjan si një kërcënim. Premtimi plot bujë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit vendore se stadiumi do të ishte gati në tetor të këtij viti kur në të do të zhvillohej edhe ndeshja e kthimit, Shqipëri–Serbi, për eliminatoret e Evropianit-Francë 16, jo vetëm që nuk u mbajt, por ai është vënë në dyshim për vetë fatin e ardhshëm të “projektit” në fjalë. Nëpërmjet deklaratës së një zyrtari të federatës sonë të futbollit, botuar së fundmi në shtypin e përditshëm, ndryshe nga çfarë pati thënë kryeministri që e quajti dhuratë stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi”, përkundrazi, tani njihemi me një kërcënim të hapur, se financimet për objektin në fjalë mund të ndërpriten menjëherë, nëse në Shkodër nuk ju nënshtrohen kërkesave të kupolës së Tiranës!?

Gjithçka e sajuar me këtë rast, ka të bëjë me një polemikë të hapur mes federatës përkatëse dhe këshillit bashkiak të qytetit verior, ku mesa shihet pala e Tiranës, në një farë mënyre kërkon t’i imponohet asaj shkodrane mbi heqjen e të drejtës së pronësisë mbi “Loro Boriçin”, duke e marrë atë për vete, siç thotë se paska bërë edhe me “Arenën” e Elbasanit, ndërkohë që kryeministri atë ditë të bukur pranverore e pati thënë me plot gojën se ja blatonte Shkodrës si dhuratë stadiumin e rindërtuar. E shprehur me tone të forta kërcënimi, deklarata që vjen nga kupola e futbollit, për ndërprerjen e financimeve në rast se në Shkodër nuk ju binden kërkesave të ardhura nga “lart”, duket më shumë absurde se sa e arsyeshme. Pikërisht kjo trysni e panevojshme, gjë që nuk e pamë të shfaqej me rastin e rindërtimit të stadiumit të Elbasanit, për më tepër se në rastin e Shkodrës bëhet fjalë për një dhuratë që s’mund të mohohet, i jep çështjes në fjalë, nuancat e një mashtrimi.

Është i njohur tashmë fakti se stadiumet në të gjithë botën janë pronë e qyteteve përkatëse, ndërkohë që mjaft klube kanë edhe ata të drejtën e pronësisë mbi objektet e ndërtuara me financimet e tyre, siç është rasti i fundit në Italinë fqinje me “rezidencën” super moderne të “Juventusit”. Mesa duket, vetëm në Shqipëri pronar i stadiumeve duhet të na qenka federata!!! Sepse, edhe me atë që duan të bëjnë me stadiumin “Qemal Stafa”, e njëjta mendësi duket se kërkon të imponohet prej kupolës përkatëse, që në planet e saj prej një çifligari, veç mijëra metrave truall që ka planifikuar për biznese e restorante në objektin në fjalë, synon të bëjë të vetën edhe ato pak metra që mund t’i mbeten fushës së lojës si dhe tribunave me rreth 22 mijë spektatorë, pothuajse aq sa është edhe kapaciteti i tanishëm! Edhe ky “projekt”, sipas lajmeve që vijnë po nga federata, ngjan si mashtrim i radhës ndaj asaj që vetë kreu i ekzekutivit shqiptar e deklamoi mes entuziazmit të festës së kualifikimit të Kombëtares për finalet e evropianit të ardhshëm, kur nuk e përmendi askund faktin se ky objekt (“bizneso- sportiv”) në Tiranë do të jetë pronë e federatës.

Ashtu siç pati bërë edhe në Shkodër, kur e pati cilësuar rindërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”,veçse një dhuratë për popullin e Shkodrës dhe jo pronë e një klani të caktuar. Odiseja nëpër të cilin po kalon zbatimi i “projektit” të stadiumit “Loro Boriçi”, aq më tepër pas atij paralajmërimi arrogant se mund të ndërpriten financimet, nëse përfaqësuesit e shkodranëve në këshillin bashkiak nuk i nënshtrohen “marrëveshjes” së imponuar prej kupolës përkatëse, e kthen gjithë këtë histori ndërtimi e rindërtimi stadiumesh në një sagë të vërtetë mashtrimi.

Aq më tepër kur këto batakçillëqe, ndërkohë që përpiqen të çojnë ujë në mullirin e çifligarëve të rinj të këtij vendi, siç po ndodh së fundmi edhe me të ashtuquajturat çështje të lagunave “Blu” apo të “Patokut”, në rastin e stadiumit të qytetit të veriut janë duke i bërë keq pikërisht futbollit shkodran, “Vllaznia” e të cilit për shkak të kthimit në kantier ndërtimi të stadiumit të saj, po bredh si një jetim pa shtëpi, duke bërë rrugën vajtje –ardhje për në Pukë, si dikur Migjeni i legjendës së misrit, çka e dëmton seriozisht të ardhmen e saj për qëndrimin në kategorinë superiore! Por në kërcënimin që i bëhet qytetit verior, shtohet se me mosnënshkrimin e “marrëveshjes” dëmi i bëhet Shkodrës dhe jo federatës, që për ndeshjet e Kombëtares na paska stadiumin ‘e saj”, atë të Elbasanit, gjë që nxjerr në pah mungesën e etikës nga institucioni drejtues, që në kundërshtim me përgjegjësitë dhe detyrat që i janë ngarkuar për ndihmë e përkujdesje ndaj futbollit, sidomos nëpërmjet fondeve të ndryshme që përfiton, përkundrazi, kërkon të kthehet në një pronar të paligjshëm.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: