Nga: OLA MITRE*TIRANE-Të dhurosh gjak jo vetëm që shpëton jetë njerëzish, por ke dhe përfitime personale. Kjo pasi çdo dhuruesi i mundësohet kryerja e një sërë ekzaminimesh, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin. Kështu, çdokush që kryen këtë procedurë, përfiton falas testimin e gjakut komplet, transaminazat ALT, konfirmimin e grupit të gjakut dhe rezusin, si dhe testim për Hepatit B, C, HIV, sifiliz dhe citomegalovirus. Ndërkohë që, nëse kthehesh në një dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura, kryhen edhe disa ekzaminime shtesë, si: glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia.

MUNGESAT
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht dhuron gjak rreth 0.9% e popullsisë, ndërkohë që numri i dhurimeve nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat. Sipas statistikave, kemi rreth 9 dhurime gjaku për 1000 banorë, ndërkohë që nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme, me 20 dhurime gjaku për 1000 banorë. RËNDËSIA Sipas specialistëve të ISHP-së, dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin, por shumë pacientë të cilëve iu nevojitet transfuzion gjaku nuk e gjejnë atë në kohë dhe të sigurt. “Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë. Mungesa e gjakut ka çuar në vdekje si dhe në vuajtje nga sëmundjet e ndryshme”, theksojnë specialistët. Sipas tyre, dhurimi i gjakut nevojitet për gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë si dhe me hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes, për fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vuajnë nga malaria dhe kequshqyerja dhe për njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike. Gjithashtu, ‘lëngu i jetës’ nevojitet për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme. Në të njëjtën kohë, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj. DHURIMI Dhurues mund të bëhet çdo person, i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18- 60 vjeç. Megjithatë, ka një kategori të caktuar njerëzish, të cilët nuk mund të dhurojnë gjak. Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë: sëmundje kardiovaskulare, sëmundje infektive (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, sifiliz), kanë kryer transplante, diabet insulinovartë, sëmundje autoimune, tumore malinje dhe epilepsi. Gjithashtu, përjashtohen përdoruesit e alkoolit dhe drogës dhe ata që kanë sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi. Ndërkohë që, përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë: marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7-ditore me antibiotik, kollë dhe dhimbje fyti, që kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale brenda vitit si dhe gratë gjatë shtatzënisë, një vit pasi kanë lindur si dhe gjatë ciklit menstrual. Gjithashtu, përjashtohen ata persona që kanë bërë tatuazhe apo pircing në 4 muajt e fundit, që kanë marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjikale, që kanë bërë një vaksinë, ata që kanë kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme, që kanë alergji të ndryshme në fazën.

KËSHILLAT
Ditën që do të dhuroni gjak, hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para, ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut, mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit. SHPESHTËSIA Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj. Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut. Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj. akute si dhe ata që kanë kryer ekzaminime endoskopike. Të interesuarit mund të dhurojnë gjak në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe 4 Banka të dhurimit të gjakut në Tiranë pranë spitaleve të mëdha. Po ashtu, mund të dhurohet pranë njësive për mbledhjen e gjakut në 26 rrethe të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: