TIRANE – Rreth 50 për qind e personave që vuajnë nga diabeti janë të padiagnostikuar në vendin tonë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i të prekurve nga kjo sëmundje mendohet të jetë rreth 150 mijë. Ndërkaq, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, një stil jete i shëndetshëm mund të parandalojë deri në 70% diabetin tip 2.

Në prag të Ditës Botërore të Diabetit, e cila çdo vit shënohet në datën 14 nëntor, theksi vihet pikërisht te ushqyerja e shëndetshme si një mënyrë për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje, e cila tashmë konsiderohet si një epidemi në të gjithë botën. Ndërkaq, sa i takon ushqyerjes së personave të prekur nga diabeti specialistët e ISHP-së thonë se “ajo luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e diabetit dhe ka si qëllim: Arritjen ose mbajtjen e një peshë të dëshirueshme të trupit, parandalimin e hiper apo hipoglicemisë dhe reduktimin e rrezikut të komplikacioneve”.

Për menaxhimin e diabetit është e rëndësishme ushqyerja e drejtë dhe e balancuar, pasi një dietë jo e rregullt dhe e paekuilibruar e bën të pamundur një kontroll glicemik të mirë. Për këtë arsye, ata japin një sërë këshillash praktike, të cilat i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Këshilla praktike
Shumëllojshmëri ushqimesh
• Përdorni ushqime nga të gjitha grupet sipas piramidës. Konsumoni shumë ujë, vajra bimore në vend të yndyrave shtazore, drithërat e plota integrale, perimet, dhe zgjidhni ushqime me përmbajtje kripe të ulët. Mos konsumoni kurrë alkool me stomak bosh.
Ndani vaktet ushqimore
• Një person me diabet duhet ta ndajë ushqimin në 6 vakte, tre kryesore dhe tre vakte të vogla, mbasi kjo gjë lejon që të pakësohet uria e papritur dhe përmirëson gliceminë duke shmangur luhatjet e saj në gjak. Mos kapërceni asnjë vakt. Vakti i mëngjesit është shumë i rëndësishëm.
Përmbajtja e vakteve
• Ushqimet e vakteve duhet të përmbajnë: Prodhime drithi ose me përmbajtje niseshteje (bukë, oriz, brumëra, bishtajore, patate etj.,) në të tria vaktet kryesore. Fruta të freskëta dhe mundësisht të konsumohen me lëkurë. Mish ose peshk, vezë dhe djathë-burim proteinash e yndyre. Perime të ziera, të gjalla, sallatë apo supë. Kujdes! Duhet vetëm një karbohidrat niseshteje në vakt, ose bukë, makarona, oriz etj.
Lexoni etiketën e ushqimeve
• Tregoni kujdes tek ushqimet “pa sheqer” apo “për diabetikët” dhe lexoni përmbajtjen e tyre.
Kontrolloni peshën e trupit
• Kush është mbipeshë duhet të zbatojë një program të përshtatshëm për një ushqim të ekuilibruar, i kontrolluar në sasi dhe në cilësi.
Kryeni një aktivitet fizik ditor
• Të paktën 30 minuta çdo ditë ecje, shëtitje ose xhiro me biçikletë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: