Të hash ushqimet e duhura kur je sëmurë, është gjysma e punës për t’u shëruar. Nutricionistja, Diola Dosti ka sjellë në vëmendje rëndësinë e zgjedhjes së ushqimit kur nuk jemi mirë me shëndet. Për persona që vuajnë nga diabeti, Dosti këshillon të hiqet dorë nga produkte shtazore, mishi e sigurisht nga sheqeri. E ftuar në emisionin “Vila 24” në “News24”, gjatë bisedës me moderatoren Androniki Kolka, Dosti thotë se qepa bën shumë duke e lënë për gjithë natën një gjymë kokrre në një gotë me ujë dhe përftesën ta pijmë në mëngjes, kjo vepron shumë mirë tek raportet e sheqerit në gjak.

Njësoj si peqa mund të përdoren edhe bamjet me qëllim uljen e sheqerit në mënyrë natyrale, pa qenë nevojë për t’i trajtuar në një temperaturë të caktuar. Sa u përket frutave, Dosti sugjeron ngrënien e plotë e jo të shtrydhura. “Largimi i fibrave, bën që sheqeri të veprojë më shpejt në organizëm” -thotë ajo dhe vlerëson si alternativë të mirë stevian apo konsumin e drithërave. Duke folur për dobinë e produkteve integrale, sugjeron makarona, oriz apo edhe bukë integrale si edhe pirjen e ujit vazhdimisht. Më tej duke u ndalur tek persona që kanë probleme me tiroiden, Dosti me siguri të plotë këshillon arrat e Brazilit pasi janë të pasura me selen, ndërsa në rastin kur kemi të bëjmë me prodhim të lartë të jodit, sugjeron të hiqet dorë nga ushqimet e pjekura apo të skuqura.

Nisur nga përvoja e saj, Dosti mbështet konsumin e perimeve jeshile për vlerat që kanë, por edhe pasurimin e kënaqshëm me klorofilë, me një përjashtim të vogël për brokolin, të cilin thotë se do ishte mirë të kalohej pak minuta në avull apo zierje. Pas diabetit e tiroides, Dosti i jep vëmendje edhe personave që kanë vështirësi për shkak të mëlçisë së dhjamosur. “Janë të prekur shumë fëmijë. Është patologji që duhet të kemi kujdes në konsumin e yndyrnave të pashëndetshme.” -shton ajo e veçon përdorimin e vajit të ullirit apo kokosit me qëllim shmangien e yndyrnave të dëmshme.

Duke i besuar natyrës, Dosti preferon të sugjerojë çajin e gjembit të gomarit apo marrjen në formë kapsulash për të tretur yndyrnat e mëlçisë në dhjamosur. Në fund e mbyll me rëndësinë e të qenurit praktik me këshilla për kalimin e një ditë të tërë në javë vetëm me ujë me pak limon, si detoks, pastrim për organizmin, kjo vetëm nëse nuk vuajmë nga ndonjë sëmundje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: