Përdorimi i gjerë i medikamenteve me bazë kortizoniku gjatë pandemisë në vendin tonë ka sjellë një përkeqësim të dukshëm të shëndetit te të sëmurët diabetikë, njëherazi të prekur nga virusi Sars Covid-2.

Profesori i asociuar, Florian Toti, mjek endokrinolog në spitalin “Nënë Tereza”, e konfirmon këtë fakt. Por nuk janë vetëm të sëmurët kronikë që kanë manifestuar probleme të rritjes alarmante të sheqerit në gjak pas përdorimit të kortizonikëve.

Mjeku i njohur informon edhe për një numër të madh rastesh të reja që lidhen direkt me prekjen e virusit, për të cilat në Europë po bëhen studime, ku Shqipëria nuk bën pjesë.

Përballë situatës jo normale, Dr. Toti këshillon të tregohet shumë kujdes me kortizonikët, si dhe me mjekimet në distancë. Nga ana tjetër, fenomeni i vetëmjekimit me insulinë në shtëpi te të sëmurët me Covid është një tjetër problem i paadresuar.

Por, a ka kthim në normalitet për personat e prekur nga diabeti gjatë infektimit me Sars Cov-2?

Në cilësinë e kreut të Shoqatës së Diabetit, Dr. Toti thotë se i është drejtuar qeverisë me një kërkesë për të ofruar fije falas për të sëmurët kronikë gjatë pandemisë.
Në Shqipëri numërohen afër 80 mijë të sëmurë kronikë me diabet, për të cilët nuk ka asnjë të dhënë zyrtare sesa prej tyre kanë humbur jetë si pasojë e Covid-19.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb