Dje në mbrëmje kryeministri u rrek të shiste si dialog me puls e pathos një shfaqje të pakëndshme me një dorë të rinjsh të partisë së tij, të cilëve herë pas here iu hakërrehej “Po si ke ardh’ ti këtu? Kush të ka sjellë ty këtu?”. Ndërkaq, në “Facebook”, ku bashkë me lajme të rreme, shpesh gjëllijnë dhe ca të vërteta, njerëzit kishin gjetur se kush ishin ata që po dialogonin, duke ripërtypur ç’u kishte dhënë për të ngrënë spin doctor-i i kryeministrit. Studentët dialogues u dukën si buratinë (të këtillë fatkeqësisht ka e përdor çdo grupim partiak ose politik) që i kishin vënë të luanin rolin e të indinjuarve, të cilët kanë sot tetë ditë që protestojnë. Dialoguesit e gjorë duhej të aktronin e të duronin edhe sulme verbale të tipit: “Po pse i perëndon sytë ashtu? Pse i perëndon sytë sa herë që flas?”. Megjithëse ishte me benjaminët e tij, si në rastin e monologut fejsbukian, kryeministri e humbi toruan. Bërtiti, gëlthiti, u hakërrye. Ai që mburret për forcën e fjalës së kultivuar, dje shtrëngoi dhëmbë e nofulla për çdo dorashkë sfide që i hidhnin “të revoltuarit” e atyshëm.

Me tone paternaliste, studentëve që në fillim i etiketoi si ngelës, kryeqeveritari u tha të mos shqetësoheshin. Ai ishte me ta! Nuk kishte për t’i lënë në baltë! Por ftesa për besim e dialog u shkërmoq e gjitha nga dështimi i skenarit alla “One man show”. Llogjet dialogjike televizive, pantonimat nervoze, përplasjet ideore me zë të lartë nuk kanë zgjidhur dot kurrë ndonjë problem.

Kryeministri, siç e ka pranuar edhe vetë, është i këtillë, s’ka ç’të bëjë. I bie të vithiset herë pas here në vorbullën e arrogancës e hakërrimit, veçanërisht nëse të tjerët nuk pajtohen me të. Për fat të keq, arroganca është filli diskuriv që i lidh bashkë takimet e bashkëqeverisjes, ku fyhen burra e gra pse nuk “bashkëqeverisin” me të ‘gati tu!’, qëndrimet ndaj protestuesve “barbarë, vandalë, shpellarë”, përgjigjet ndaj gazetarëve që qeshen e përqeshen se rrojnë jo në ndonjë rreth të gjerë ferri, por në kazanë, qëndrimin ndaj të rinjve e studentëve, që janë higjiena e njëmendtë e botës universitare dhe e shoqërisë sonë.

Kryeministri mbrëmë e tetë ditë të shkuara, bashkë me të edhe politika, duhet ta kuptojnë një herë e mirë se ky i sotmi nuk është brezi i hartimeve, por brezi i eseve, ku studentët, megjithëse zëmarrë, t’i shtrojnë argumentet duke të parë në sy e t’i hedhin tutje premtimet e zbërdhylëta. Ftesa për dialog duket si përpjekje për ta mbajtur edhe më tej të gjithë problematikën në rrafsh verbal. “Ta flasim njëherë” është sfida e qeverisë. Vetë strategjia e komunikimit publik të saj është ngritur mbi idhulltarinë e “Facebook”-ut. Buçkanët e partisë kanë marrë në vijimësi edhe gjatë këtyre ditëve udhëzimet e sakta sesi duhet komentuar gjatë dialogut paternalist të kryeministrit. Inskenimi e ka neveritur opinionin publik, që natyrshëm ngre pyetjen kështu inskenohen të gjitha nismat e reformat qeveritare? Kaq e pacipë dhe e errët është demagogjia?

Një student në mënyrë origjinale ftesën për dialog e konsideroi si ftesë për të negociuar dajakun, mospërkrahjen dhe mungesën e vazhdueshme të vëmendjes së qeverive ndaj studentëve, rrjedhimisht shpërfilljen ndaj universitetit e problematikave të tij. Dje dialogu i kryeministrit me të vetët qe një ndër shfaqjet e dajakut verbal ndaj studentëve. Cili kryeministër i botës moderne, pavarësisht nëse mburret se dikton modën e fundit të veshjes, e ka luksin t’u drejtohet qytetarëve me atë ton ankthndjellës e intimidues, që studentët nuk do ta pranonin assesi as nga pedagogu më pedant e as nga prindi më kontrollues. Dialogu ankthioz, fjalimet 27-faqëshe, deklaratat e rrudhura në “Twitter” nuk mjaftojnë për t’ua servirur studentëve si të dialogueshme pikat konkrete, teksa ata presin zgjidhje. Ka ardhur tashmë koha që politika të pranojë se universiteti nuk është thjesht institucioni vasal, ku politikanë, funksionarë apo “të intelektualizuar” zgjedhin të ndreqin imazhin duke u bërë pjesë e tij e duke i përveshur mëngët për mësimdhënie. Universitetit i duhet financim dhe autonomi, jo për të ngopur orekset e drejtuesve të tij, por për t’u rikthyer dinjitetin e bjerrë studentëve dhe pedagogëve, të cilët duan s’duan qeveritë, janë një!

Studentët tanë kërkojnë reduktim të tarifave, përmirësim të kushteve të konvikteve, verifikim të figurave të pedagogëve, biblioteka të pasura, një universitet të denjë! Kanë të gjithë të drejtën e botës për përgjigje konkrete, jo kinse dialogë të inskenuar apo kokëfortësi me vijë masash “O bashkë me mua, o hiç!”. Nëse punët që duhen bërë qenkan, e në fakt janë kaq të shumta, le t’i bëjnë pa rrahur gjoksin, pa stilema e filozofema populiste. Me sezonin e provimeve jo fort larg e festat e fundvitit më afër, studentët gëzojnë të drejtën të dëgjohen e të marrin zgjidhje për gjithë ç’kanë ngritur, të kthehen në auditorët e fakulteteve, ku të ketë ngrohje e të mos u duhet të ngrenë në krahë karrige nga njëra sallë te tjetra. Studentëve nuk iu lipset një rrahje shpatullash sa për t’i përcjellë, as fjalë në ajër, por zgjidhje konkrete. Shqipërisë, veç zërit të papërlyer të të rinjve, i duhet fort po ashtu, një politikë e qeveri që pasi të ketë bërë as më pak as më shumë se ç’i takon: pasi të ketë mirëqeverisur, të dijë të shijojë edhe krenarinë e heshtjes.

Elsa Skënderi – Rakipllari (pedagoge)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb