Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen para fundit të vitit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur pas një diskutimi të ministrave të Jashtëm të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor, Borrell tha se ftesa e tij për liderët e Kosovës dhe të Serbisë shkon në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të fundit më 19 korrik, por pa arritur përparim në ndonjërën prej çështjeve kontestuese.

Borrell tha se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Ndërkaq, të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve dhe sipas burimeve, temat e diskutimeve lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: