Richard Grenell, i dërguari special i ish-Presidentit amerikan Donald Trump mbi dialogun me Prishtinës e Beogradit, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit, pas takimeve në Bruksel të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Grenell u shpreh se qasja e Bashkimit Europian në lidhje me dialogun është e gabuar. Ai shtoi se procesi duhet të udhëhiqet nga vizioni i administratës Trump, ku vëmendja përqendrohet më shumë tek çështja ekonomike dhe jo tek ajo politike.

Grenell tha se pas 20 vitesh që dialogu ishte përqendruar në aspektin politik mes dy vendeve, duhet të ishte bërë e artë që kjo qasje nuk jep rezultat.

“Pas një kolapsi të negociatave në Bruksel, është e vështirë për tu parë. E dimë që në administratën e ish presidentit Donald Trump ne punuam për një normalizim të marrëdhënieve ekonomike dhe ishte vizioni i presidentit Trump që të ndalonte negociatat politike, strategji e cila për më shumë se 20 vite nuk kishte prodhuar asgjë.

Në vend të kësaj, Trump synonte të përqendroheshim në zhvillimin ekonomik , të siguroheshin që rajoni i Ballkanit të prodhonte punësim për të rinjtë. Donim të siguroheshim që atje do të kishte investime nga Perëndimi dhe Amerika.

Të shohësh këto negociata tani është dëshpëruese.

Ne kishim një tjetër ide dhe vizion nën administratën Trump. Ne besonim se SHBA duhet të luante një rol që pa lidershipin amerikan në Ballkan, nuk do të kishim të mundur të përpilonim një marrëveshje ashtu siç e dëshironim.

Ajo që po shohim tani është se europianët po përpiqen të bëjnë vetë një gjë të tillë dhe po hasin në vështirësi.
Kolapsi i djeshëm ishte zhgënjyes.

Jemi të shqetësuar se me përcaktimin e një afati kohor më 1 shtator, administrata amerikane dhe Shtëpia e Bardhë nuk po bën mjaftueshëm”, tha ai.

Ish-i dërguari i Trump foli edhe mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilin tha se e mbështet në lidhje me refuzimin që i ka bërë propozimeve të shtruara në tavolinën e dialogut.

Ai tha se Kurti ka të gjithë të drejtën për të qenë skeptik mbi premtimin për liberalizimin e vizave, i cili nuk është zbatuar edhe pas vitesh që kushtet janë plotësuar.

Grenell u shpreh se europianët duhet të kuptojnë që kur bëjnë premtime duhet ti mbajnë.

“Jam i shqetësuar sepse të gjithë propozimet e europianëve dhe amerikanëve u refuzuan nga kryeministri Albin Kurti.

Më duhet të them një gjë pozitive për Kurtin fillimisht. Ai është një negociues i fuqishëm, por ai duhet të kuptojë se kjo nuk është një rrugë me vetëm një korsi dhe se edhe ai vetë duhet të vijë me propozime gjithashtu.

Sigurisht që i mbështes refuzimet e Kurtit e idesë që nëse bën një kompromis BE do të vijë me një program për liberalizmin e vizave.

E dimë që ky është një premtim që nuk do të përmbushet dhe Albin Kurti ka të drejtë të refuzojë.
Personalisht e di se gjermanët premtuan se do të ketë liberalizim të vizave, ndërkohë që edhe pas kaq vitesh një premtim i tillë nuk është përmbushur.

Albin Kurti ka të gjithë të drejtën për të qenë skeptik mbi këtë premtim dhe europianët duhet të kuptojnë që kur bëjnë premtime duhet ti mbajnë, se duhet të ketë një qasje më të qartë mbi atë se kur shtetet në Ballkan arrijnë të përmbushin kushtet duhet të ecin një hap më parë drejtë anëtarësimit.
Ose pastaj, europianët duhet të refuzojnë aplikimet dhe të mos përpiqen të mashtrojnë me këtë proces. nuk është e drejtë për qytetarët e Ballkanit.

Në veçanti me negociatat për targat, ne duhet të kujtojmë se ky konflikt ka nisur sepse Albin Kurti ka hedhur një hap para dhe ka deklaruar se dëshiron të implementojë idetë e tij mbi këtë çështje.

Nuk është konsultuar as me amerikanët e as me europanët, dhe sigurisht që nuk është pranuar nga serbët.

Ajo që shohim tani është një lëvizje një palëshe nga Albin Kurti.
Kjo nuk është një ide e mirë aq më tepër kush shohim rajonin dhe situatën në të cilën ndodhet ai sot.

Duhet të them se Albin Kurti duhet të bëjë një hap më tej dhe të negociojë”, tha Grenell.

Ai e ka parë zgjidhjen e konfliktit vetëm tek prioritarizimi i çështjeve ekonomike, të rritjes së investimeve dhe punësimit të të rinjve.

“Ka disa mënyra për të gjetur zgjidhje. Një prej tyre është që amerikanët duhet të bëhen pjesë e procesit më shumë dhe të shtyjnë në gjetjen e një zgjidhjeje.

Një tjetër është të kemi një pranim të përbashkët të targave. Të pranohen reciprocikisht targat dhe të vijohet puna.

Të gjithë e dimë se ky është vetëm konflikti i fundit dhe se ka shumë më shumë çështje të cilat kërkojnë zgjidhje.

Unë propozoj që ekipet të përqendrohen në negociata mbi zhvillimin ekonomik, në punësimin e të rinjve. Po duhet se jemi në një kurth, ku kemi politikanë që flasin për politikë.

Pas më shumë se 20 vitesh duhet të mësojmë se kjo nuk funksionon kështu dhe nuk ka rezultate. Duhet të kthehemi në idetë amerikane që investitorët nga Amerika dhe Europa duhet të investojnë në Ballkan.

Njerëzit duan të shohin zhvillim ekonomik”, tha Grenell.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb