PRISHTINE– Pas zgjedhjes së Aleksandër Vuçiç president i Serbisë, nuk do të krijohet ndonjë situatë e keqe në dialogun Kosovë–Serbi. Këtë e thotë njohësi i politikave serbe, Fatmir Sheholli, njëherësh këshilltar i kryetarit të Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiç.

“Nuk kemi situatë të keqe pasi dialogu është duke u zhvilluar dhe duhet të vazhdohet në një kornizë kohore kur duhet të dimë ku po arrihet”, ka thënë Sheholli në “InfoMagazine”.

“Vuçiç dhe Thaçi janë të vetmit të cilët mund të arrijnë fokusin, misionin e paqes”, ka shtuar ai.

Ai thotë se pas përfshirjes së Thaçit në dialog, është shumë mirë që edhe Vuçiç do të jetë pjesë e këtij procesi, si president.

“Thaçi vetëm ka filluar të jetë pjesë e dialogut dhe shumë mirë që edhe Vuçiq do të jetë pjesë pasi ai të gjitha ato që janë biseduar në Bruksel premtimet i ka realizuar”, ka theksuar Sheholli.

“Ne kemi punë edhe me Rusinë edhe me Kinën dhe Këshilli i Sigurimit duhet të sjellë çështjet e rezolutës 1244”.

Ai pohon se pala serbe në bisedimet me Kosovën ka ditur të jetë e paparashikueshme.

Më tej shton se njohja e Kosovës nga Serbia nuk varet nga Thaçi e Vuçiç, tashmë si president. Sakaq, ai thekson se Thaçi ka komunikim më të mirë se Mustafa me politikanët serbë.

“Nuk kam parë politikanë të tjerë që kanë kështu lloj vullneti”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb