Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka folur për zhvillimet që po ndodhin në Kosovë dhe vijimit të dialogut në Bruksel të ndërmjetësuar nga BE.

Ai u shpreh se presidenti serb luan me dy kartë me atë të Rusisë dhe Kinës, ndërsa kryeministri Albin Kurti është i fokusuar mbi kartën e perëndimit.

“Ndërmjetësimi është fjala kyçe, kemi të bëjmë me ndërmjetësim apo më shumë që ndoshta nuk mund ta quajmë diktat por presion të qartë për të dy palët për të mos përshkallëzuar situatën. Do të ketë tentativa për të ruajtur Status Quo-në, vijimin e ngrirjes së konfliktit dhe ndonjë lëvizje sa për të gënjyer opinionin, por do të garantohet ajo që kërkon NATO apo BE, pra mos turbullimin e ujërave.

Më shumë se çështje kush e ka fajin shtrohet çështja se ç’po ndodh dhe si është loja, kush është më i avancuar dhe në pozita më të forta? Të dy palët, kanë projektin e tyre, projekti i Kurti është njohja dhe reciprociteti, Vuçiçi thotë që Kosova është pjesë e jona ndaj ato që kërkon Kurti janë nëpërkëmbje e të drejtave të serbëve. Këtu është problemi se ç’lojë luan perëndimi që i ka dhënë një gjysmë zgjidhje kësaj pune pa e zgjidhur tërësisht. Nisur nga lufta në Ukrainë çfarë roli po luan Perëndimi. Ç’kërkon perëndimi në këtë moment dhe si ndikon situata gjeopolitike. Nuk është aq e thjeshtë analiza. Është ekuacion me shumë të panjohura.

Në këtë ekuacion kosovarët dhe shqiptarët luan me një kartë të fortë, që jemi pjesë e NATOs perëndimit dhe duhet të na mbështesin se jemi me të, në Kosovë ka një bazë të NATO-s.
Vuçiçi luan me dy karta, luan edhe me kartën e NATO perëndimit por edhe me atë të Rusisë e Kinës.

Lind pyetja kush është më i fortë. Për momentin duket se duke qenë që perëndimi është më i fortë kjo është karta fituese. Por është edhe karta e rolit dhe fuqisë së vendit përkatës. Po të dëgjosh Stoltenbergun, nuk na intereson një Serbi që destabilizon rajonin. Në këtë aspekt mos është më i fituar Vuçiçi që luan me shumë porta? Nuk jap dot një përgjigje të prerë. Shqiptarët duhet të punojnë për të qenë një shtet më i fortë, të punojnë brenda edhe në një kontekst tjetër, sikur Europa të mos ketë suksesin që ka, atëherë ngelesh në mëshirën e je aq i fortë saç je vetë pa mbështetjen. Në momentin ku jemi konflikti është i ngrirë. Nuk i intereson as hapja e një fronti me Serbinë”, u shpreh Lubonja.

Ndërkohë në lidhje me konferencën e përbashkët të Sekretaritë të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pas takimit, Lubonja tha se

“Konfirmohet ajo që thashë se karta e Kurtit është identifikimi me NATO-n e Europën dhe bën një diferencim midis Kosovës demokratike dhe bandave serbe nga krahu tjetër.

Besoj se problemi me Stoltenbergun nuk është ky, pra jo bandat serbe por Serbia, Gjuha e tij ishte diplomatike, që nuk akuzon por nënkupton që jemi aty por jo me idenë për të mbrojtur por për të frenuar përshkallëzimin. Rreziku e frika e tyre është përshkallëzimi, ndezja e një vatë qoftë edhe të vogël në Ballkan dhe prezenca e NATOs është një garanci për mospërshkallëzim, por nga ana tjetër edhe një lloj frenimi të Kurtit në ato kërkesat e tij marksimaliste.

Serbia luan me dy karta dhe këtu është gjithmonë pyetja a është më shumë në avantazh se duke bërë presion që shkon në interes të Rusisë? Pyetja është a do armiqësohet me Perëndimin apo do marrë edhe ndonjë llokëm apo përfitim? Ka edhe një problem Serbia me Rusinë sepse nuk e ka pranuar kurrë atë q e quan sulmi pa miratimin e OKB ndaj Serbisë që sipas Putinit është i ngjashëm me sulmin rus në Ukrainë. Serbia e ka dënuar sulmin por nuk ka marrë sanksione për shkaqe historike. Kjo shtë loja që bën Vuçiçi dhe do të bëhet edhe më tej e qartë nga ajo se si do të shkojë lufta në Ukrainë. Edhe zgjidhja që mund të vijë lidhet shumë me atë se çfarë bote do të krijohet pas luftës në Ukrainë. Nuk do të jetë e njëjta por nuk ende nuk e dimë se ç’botë do të jetë”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb