Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një video-konferencë me Presidentin francez Emmanuel Macron për zhvillimet më të fundit në rajon dhe Europë.

Pikërisht dy çështjet më me interes për Kosovën ishin dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizazve për të cilat Hoti dhe Macron u dakordësuan që për secilën të ketë takim në nivel të lartë, për të parën sipas Samitit të Parisit kurse për vizat fillimisht në nivel ekspertësh e më pas ministrat e brendshëm.

Hoti gjithashtu ftoi Macronin për një vizitë në Kosovë dhe presidenti francez iu përgjigj pozitivisht.

 

 

STATUSI NGA AVDULLAH HOTI

 

Presidenti Macron rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe vizitën në vendin tonë

Sot zhvillova një video konferencë  (takim virtual) me Presidentin e Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron.

Presidenti i Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron, fillimisht vlerësoi Kosovën për mbështetjen që i ka dhënë Francës, me rastin e sulmeve të fundit terroriste në Paris.

Ndërkaq, vlerësova lartë kontributin e çmuar që ka dhënë Republika e Francës në mbështetje të shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

E njoftova Presidentin Macron me veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara që sollën edhe dorëheqjen e Presidentit Thaçi.

Sigurova Presidentin Macron se, Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryej të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunues konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë që partitë politike parlamentare janë të gatshme për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.

Presidenti Macron përshëndeti sjelljen me dinjitet, pjekurinë e kulturën e lartë politike të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, pas veprimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara.

Bashkë me Presidentin Macron biseduam edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktual.

Po ashtu u dakorduam që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

Lidhur me liberalizimin e vizave u dakorduam  që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të  ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.

Presidenti Macron, ju përgjigj pozitivisht ftesës sonë për vizitë shtetërore në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb