KOSOVË- Kuvendi i Kosovës ka dështuar në seancën e pasdites arritjen e konsensusit politik për miratimin e projekt-rezolutës së propozuar nga opozita lidhur me dialogun me Serbinë.

Seanca në fjalë u shoqërua me tone të ngritura, por në fund nuk kishte një linjë të qartë  mes grupeve parlamentare rreth rezolutës, ndërsa seanca do të vijojë sërish ditën e nesërme me shpresën se palët do të arrijnë gjuhën e përbashkët.

Partitë e koalicionit qeverisës kanë kërkuar harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare për të dalë me një rezolutë të përbashkët që do të hidhej në votim, raportojnë mediat në Kosovë.

Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e ka të paqartë prezantimin e projekt-rezolutës së LDK-VV-Alternativa, e prezantuar nga shefi i GP të LDK-së Avdullah Hoti, duke thënë se ai ka shtuar 6 pika në tekst për të arritur konsensus lidhur me dialogun, por kjo nuk ka ndodhur.

“Kjo është bërë në një mënyrë të qëllimshëm për të dalë nga situata aktuale. Kërkoj nga opozita që të tregojnë se cilat pika janë të papranueshme. Të ulemi bashkë nesër, kemi edhe seancën dhe t’i diskutojmë këto pika dhe të arrijmë në harmonizimin e tekstit dhe ta hedhim për votim nëse opozita dëshiron të arrijë diçka të përbashkët dhe jo ta shfrytëzojë për konsum ditor, duke mos i ofruar zgjidhje qytetarëve për dialogun, por duke e vazhduar garën e inateve që kaq muaj janë duke e lënë vendin në ngecje”, tha Krasniqi.

Edhe shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi kërkoi harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare për të dalë me një  rezolutë me pika të harmonizuar.

Bilall Sherifi, shef i GP të Nisma, kërkoi që harmonizimi i qëndrimeve të partive politike të bëhet nesër dhe të shihen se cilat janë pikat e papranueshme për opozitën.

“Nesër të ulemi dhe të shohim si mund të arrijmë deri te një rezolutë e përbashkët, por në asnjë mënyrë të iket nga esenca që procesi i dialogut të përfundojë në dëm të Kosovës”, ka thënë ai.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka pyetur propozuesin e projekt-rezolutës Avdullah Hoti nëse dëshiron ta hedhë në votim, duke pasur parasysh se në sallë nuk ka kuorum. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Hoti propozoi që në mungesë të kuorumit nesër para seancës së Kuvendit të Kosovës të mbahet një takim për të diskutuar këtë çështje bashkërisht.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb