Policia e Dibrës, në vazhdim të masave për të parandaluar krimet që bëhen në territorin e saj, ka zbuluar një rast të kultivimit të lëndëve narkotike në një pyll pranë fshatit Tomin.

Për ngjarjen, u arrestua shtetasi G.SH dhe u shpall në kërkim i biri E.SH, pasi nuk u gjet në banesë. Policia po ashtu prangosi edhe kryeplakun e fshatit, pasi nuk ka informuar autoritetet për kultivimin e bimëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Dibër

Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Vihet në pranga autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim djali i tij, i cili ka thyer dhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në pranga edhe kryeplaku i fshatit Tomin, për shpërdorim detyre.

Po gjatë kontrolleve evidentohet dhe goditet dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen dy armë zjarri, vihet në pranga poseduesi.

Në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për marrjen e masave operacionale në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e Drejtorisë  Vendore të Policisë Dibër kanë vijuar kontrollin masiv të territorit dhe si rezultat, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Tomin, kanë konstatuar të kultivuara disa fidanë bimë narkotike.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. SH., 43 vjeç, banues në fshatin Tomin, Dibër dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Sh. (person me masë sigurie “Arrest në shtëpi”) djali i shtetasit G. Sh., i cili nuk u gjet në banesë dhe vijon puna për kapjen e tij.

Po në lidhje me këtë rast u bë arrestimi i shtetasit F. K., 52 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Tomin, pasi nuk ka informuar në Polici për territorin që mbulonte.

Në vijim të kontrollit të territorit, strukturat e Policisë Dibër, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga shtetasin G. H., 34 vjeç, banues në fshatin Tomin, pasi gjatë kontrollit në ambientet në administrim të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu çifte dhe një sasi municioni luftarak, të cilat i posedonte pa leje.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Dibrës, për hetime të mëtejshme.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb