TIRANË

OFL sot i ka dërguar letër për deklarim të pasurisë Shkëlzen Dumanit, i akuzuar për përfshirje në organizata terroriste.

Mirëpo, Dumani, me origjinë nga Peshkopia dyshohet se është vrarë në Siri në vitin 2015. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se shteti shqiptar e ka regjistruar Dumanin zyrtarisht si të zhdukur.

Shkëlzen Dumani dyshohet të jetë vrarë në Siri, ndërsa në shtetin sirian kanë mbetur dy fëmijët e tij, një djalë dhe një vajzë, Endri dhe Eva, 8 dhe 9 vjeç.

Dumani, një prej vullnetarëve myslimanë shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe që janë shpallur në kërkim nga shteti shqiptar, është vrarë në luftime në Siri, kanë thënë familjarët e viktimës.

Dumani kishte disa muaj që ishte në Siri dhe luftonte me xhihadistët. Viktima ishte në kërkim nga krimet e rënda edhe për rekrutime të shqiptarëve për t’i çuar në Siri për të luftuar kundër qeverisë së Bashar Al Assad.

Kush është Shkëlzen Dumani

Shqiptari i fundit i cili besohet se është vrarë në Siri, Shkëlzen Dumani, është një prej personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare me akuzën e organizimit dhe financimit të rekrutimit dhe dërgimit të myslimanëve shqiptarë për xhihad në Siri.

Në fund të janarit të këtij viti ai ka mundur të kalojë kufirin së bashku me dy fëmijët e tij, Endri dhe Eva, përkatësisht 8 dhe 9 vjeç. Sipas të afërmve në Bellovë të Dibrës, vite më parë, Shkëlzeni me profesion hidraulik shkon për gjashtë muaj në Arabinë Saudite. Pas kthimit nga Arabia, ai fillon të praktikojë fenë myslimanë duke lënë dhe mjekër.

Largimi me fëmijët

Shkëlzen Dumani duket se e ka menduar me detaje arratisjen së bashku me dy fëmijët e tij. Ai ka shfrytëzuar një sebep familjar të bashkëshortes për të kryer në heshtje largimin e tij. Ai i ka thënë bashkëshortes, Mides, të ikte tek i vëllai i saj, pasi ky i fundit fejonte të bijën dhe i ka kërkuar të qëndronte tre ditë atje.

Ai së bashku me dy fëmijët të nesërmen do të ikte në Shkodër për të drekuar me një mikun e tij. Gjatë kësaj kohe ai është bërë gati dhe është nisur në aeroport me fëmijët. Teksa është telefonuar nga bashkëshortja, ai deri në momentin që kanë humbur kontaktet, i është përgjigjur se po ia kalonin mirë dhe se fëmijët janë po ashtu mirë.

Dumani ka udhëtuar me fëmijët e tij përmes aeroportit të Rinasit me destinacion Turqinë. Mësohet se ditën e udhëtimit Dumani ka qenë i veshur me kostum dhe ka hequr mjekrën. Ai i ka shpjeguar personelit se arsyeja e udhëtimit drejt Turqisë është për operimin e djalit të tij. Më pas i ka humbur gjurmët dhe dyshohet se ka mbërritur në Siri së bashku me dy fëmijët.

Dëshmia e gruas së Shkëlzen Dumanit në gjyq

Mide Dumani, gruaja e Shkëlzen Dumanit, besimtarit mysliman që dyshohet se ka humbur jetën në Siri në vendin e shkatërruar nga lufta, u shoqërua nga forcat e policisë pak vite më parë, për të dhënë dëshminë e saj në procesin ndaj nëntë të akuzuarve për rekrutime xhihadiste, mes të cilëve edhe dy imamët e vetëdeklaruar Genci Abdurrahim Balla e Bujar Hysa.

E veshur me të zeza, thuajse e ngrirë në shikim, Mide Dumani, e cila mbetet me shpresën se një ditë dy fëmijët e saj, që ia dërgoi burri në Siri, do të mund t’i rishohë, “kyçi” gojën përpara gjykatës për Krime të Rënda. Me një zë të ngjirur, tejet të ulët, mundi t’i thotë pesëshes gjykuese se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, për të dhënë dëshminë e saj.

Pas gruas në sallën e gjyqit hyri i vëllai i saj, Agim Ndregjoni, kunati i Shkëlzen Dumanit. Ai pritej të rrëfente gjithçka dinte lidhur me rekrutimin dhe udhëtimin drejt Sirisë së Dumanit dhe nipit të tij Endri e mbesës Eva, ku fati i dy fëmijëve nuk dihet ende, ndonëse është konfirmuar se babai i tyre i dërgoi në vendin e luftës. Por, edhe dëshmitari Agim Ndregjoni nuk dëshmoi në sytë e nëntë të akuzuarve. Ai deklaroi se ka qëndruar për 12 orë në këmbë në ambientet e policisë, ku e kishin shoqëruar me qëllim që ta sillnin në gjykatë, ndaj për këtë arsye, ishte në pamundësi, për të dhënë dëshminë e tij. “Kam qëndruar 12 orë në këmbë në polici dhe dua të jem i qetë kur të dëshmoj, se nuk dua t’u bie me qafë, as këtyre e as vetes”, tha Agim Ndregjoni.

Dy fëmijë në kampin Al Hooti në Siri — Familja apel qeverisë për ndihmë

Familjarët e dy fëmijëve Eva dhe Endri Dumani i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë për të mundësuar riatdhësimin e tyre në vend, nga kampi Al Hooti në Siri.

Ata, nëna dhe daja i fëmijëve, ofrohen të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit për fëmijët dhe gratë e mbetura në kamp, por kërkojnë nga qeveria ndërmjetësimin në rrugë zyrtare me Sirinë.

Në një letër publike dërguar Kryeministrit Rama, nëna e fëmijëve tregon historinë se si fëmijët përfunduan në kampin fatkeq, si dhe disa mesazhe të vajzës së saj.

Letra

Dy fëmijët, përkatësisht Eva dhe Endri Dumani përkatësisht në anë kohë 8 dhe 5 vjeç u rrëmbyën nga i ati dhe u dërguan në Siri.

Shumë pak muaj pas mbërritjes atje ai humbi jetën dhe fëmijët e mi Eva dhe Endri kanë përjetuar një kalvar të mundimshëm vuajtjesh dhe stërmundimesh.

Mbas denoncimit tim në prokurori për rrëmbim të fëmijëve të mi në datën 27 janar 2014 nisi një kalvar vuajtjesh dhe stërmundimesh për mua dhe familjen time.

Pas ikjes së ish- bashkëshortit sigurisht ishte dhe mosakordimi i institucioneve tona dhe unë u ktheva në familjen atërore.

Ish- bashkëshorti im disa muaj mbas mbërritjes atje humbi jetën duke lënë në mes të luftës fëmijët e mitur.

I vetmi shtet nëpër të cilin mund të kthehen jeni vetëm ju. Shteti ashtu siç Eva thërret nëpër telefonatat dhe mesazhet e sa shpresdhënëse.

“Daja Xhetan ne jemi mirë. Mundohuni me na marrë sa më shpejt/ Ajo daja Xhetan. Unë jam në linjë fol sa më shpejt ca ke për të fol se këtu është shumë frikë se na kontrollojnë dhe nuk mundemi me fol shpesh. O daja Xhatan me kështu njerëzish ne kemi frikë me dale se ne jeni nëpër tela.

Telaj janë krejt ushtarë dhe nuk mundemi me dalë pa ushtarë as deri në pazar dhe nuk mundemi me e bë këtë se ca gra janë munduar të dalin e i kanë kapur dhe i kanë futur në burg.

O daja Xhatan lidhur me shteti që të vij shteti të na marrë, ambasada jonë të na kërkojë. Këta na kanë thënë s’ka problem nëse vjen shteti u merr ne ju lejmë se dhe shumë shtete të tjera i kanë marrë me shtet. Edhe ti interesohu krejt me shtet që të vijnë të na marrin krejt ne shqiptarët që jemi këtu. Me këta lloj njerëzish fshehta unë kam frikë me ardh.

O daja Xhatan, unë nuk mundem me fol përditë se edha këta bezdisen se edhe ky telefon është i një motre të huaj dhe nuk mundem me e tregu.

O daja Xhatan, thuaj familjes së Kreshnikut se familja e tij është me neve, i kemi çadrat ngjitur krejt shqiptarët, mos të mërzitet, por ajo nuk ka anjë komunikim me ta”.

Zoti kryeministër, Eva ka bërë një liste identifikimi për të gjithë shqiptarët që janë në kamp, listë të cilën ne jua kemi cuar organeve kompetente.

Zoti kryeministër, ju lutem mundësoni dhe përshpejtësoni sa më shpejt, kthimin e tyre të sigurt në rrugë zyrtare, unë nëna e tyre të lutem me dhimbje nëne. Endri dhe Eva kërkojnë çdo ditë orën e kthimit.

Kemi nevojë për ndihmën tuaj që ata fëmijë shqiptarë të kthehen këtu për t’i riatdhesuar dhe rehabilituar si shtetas shqiptarë.

Në këtë aspekt familja ime ofron ndihëm për të marrë përsipër shpenzimet e udhëzimit të tyre nga Siria drejt Shqipërisë për të gjithë fëmijët dhe gratë dhe sigurisht t’ju mbështetim juve në të gjithë procesin e rehabilitimit të tyre të shpejtë”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb